E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshenti vret një të dehur 37-vjeçar

Një 37-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi u qëllua me shkopinj dhe gurë dje, në orët e para të ditës në periferi të Tiranës. Viktima është Pajtim Elezaj, 37 vjeç, me banim në lagjen Shkozë të Tiranës. Të arrestuar për ngjarjen janë Fatjon Leka, 18 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij Altin Koldashi. Policia tha se Leka është personi që qëlloi me armë zjarri ndaj të ndjerit Elezaj, kurse shoku i tij Koldashi akuzohet paraprakisht për armëmbajtje pa leje, ndërsa dyshohet edhe si bashkëpunëtor i krimit, bashkë me një person tjetër, i cili do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se dje, rreth orës 07:00, është gjetur i vdekur në Shkozë të Tiranë shtetasi Pajtim Misim Elezaj, 37 vjeç, me banim në këtë fshat. Në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë grupi i posaçëm hetimor, për të hetuar më tej mbi rrethanat e motivet e kësaj ngjarjeje. Paraprakisht nga hetimet e kryera në vendngjarje nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, rezultoi se viktima pas një grindjeje të çastit me autorin e dyshuar të vrasjes, 18-vjeçarin Fatjon Leka, fillimisht kanë debatuar dhe më pas ky i fundit e ka goditur me sende të forta. Sipas të dhënave hetimore, konflikti ka nisur në një lokal dhe më pas kanë dalë jashtë, ku autori ka marrë një dru dhe gurë dhe e ka goditur disa herë.
Autori i dyshuar u kap në rrugën "Aleksandër Moisiu" në afërsi të Freskut, Tiranë, brenda një kohe të shkurtër, falë informacioneve të poseduara nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me strukturat e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, në Drejtorinë e Policisë së Qarku Tiranë. Sipas hetimeve, si viktima dhe autori kanë qenë në gjendje të dehur dhe aty kanë debatur me fjalë fyese. Kjo ka mjaftuar për të nxehur gjakrat që ka sjellë vrasjen e 37-vjeçarit.
Në lidhje me këtë ngjarje është marrë masa e arrestit në flagrancë për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndaj shtetasit Altin Koldashi, 25 vjeç, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit në këtë vrasje. Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike kallashnikov" Po ashtu, pas hetimit intensiv rezultoi se prezent në momentin e ngjarjes ka qenë edhe shtetasi Refik Kurti, 34 vjeç, i cili do të procedohet në hetim të lirë për konsumim të veprës penale të "Moskallëzimit të krimit", e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, 18-vjeçarit Fatjon Leka, u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të "Vrasjes me dashje". Ai ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria, duke deklaruar se e kishte kryer këtë veprim në gjendje të dehur, pasi viktima e kishte ofenduar rëndë me fjalë fyese. Më tej, ai ka shpjeguar se kishte tentuar të largohej, pasi e kishte zënë gjaku dhe nuk i kishte treguar njeriu se çfarë kishte ndodhur. Gjithashtu, emri i tij është përmendur edhe nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, të cilët kanë deklaruar se pikërisht adoleshenti ishte zënë në lokal me Elezajn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›