E Diel, 1 Nëntor 2026

"Baze", gjykata lë sërish në burg biznesmenin Rezart Taçin

Gjykata e Tiranës, në harkun kohor të dy javëve, ka vendosur për herë të tretë masën "burg pa afat" për biznesmenin Rezart Taçi, i cili akuzohet se ka goditur gazetarin Mero Baze natën e dy nëntorit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Gjyqtarja Fahrije Budo ka qenë e prerë në masën e sigurisë, duke mos i dhënë mundësi biznesmenit që të përfitojë lirinë edhe nga një garanci pasurore prej 50 mijë euro. Seanca për revokimin e masës së sigurisë është zhvilluar dje rreth orës 09:00 në Gjykatën e Tiranës. Avokatët e pronarit të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i cili ndodhet prej disa ditësh në qeli si i akuzuar për dhunë ndaj Bazes, i kërkuan Gjykatës së Shkallës së Parë revokim të masës së arrestit "burg pa afat", në një masë më të lehtë. Avokati Maks Haxhia ofroi 50 mijë euro garanci dhe i parashtroi gjykatës se janë disa rrethana lehtësuese për klientin e tij. Avokati pretendonte se raporti mjekoligjor për Erges Selfon ka përcaktuar se ai kishte dëmtime në pjesën e syrit të majtë, çka do të thoshte për mbrojtjen se gazetari ka goditur klientin e tyre. Ndërkohë, prokurori Gjergji Tako pretendoi në seancën e djeshme se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për Rezart Taçin. Ky i fundit nuk ishte prezent në seancë, por u përfaqësua nga avokatët e tij. Pas pretendimeve të palëve, gjyqtarja Fahrije Budo vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm për Taçin "burg pa afat".
Avokatët u shprehën se do të apelojnë vendimin dhe seanca e ardhshme për Taçin pritet të mbahet më 19 nëntor dhe do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›