E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentja e përdhunuar, letër Ina Ramës për hetimin

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Në qeli, e vetme dhe e trembur se aty ndoshta do të kalojë shumë vite, 17-vjeçarja që tentoi të ekzekutonte personin, që akuzoi se e kishte përdhunuar, ndërron dëshminë. A.J., është vendosur në njërën nga dhomat e paraburgimit në komisariatin e Lezhës, ndërsa sot pret të përballet me togat e zeza, të cilat do të vendosin masën e sigurisë. Adoleshentja është marrë në pyetje nga grupi i hetimit në praninë e një eksperti psikolog, për shkak të gjendjes së rënduar, por edhe të moshës së saj. "Nuk kisha qëllim ta vrisja K.L., por doja vetëm ta trembja. Ai më ka marrë moralin. Unë tashmë nuk kam asnjë shpresë të ndërtoj jetën nga e para, pasi atë ma shkatërroi ai". Kështu është shprehur vajza që mbrëmjen e së dielës në fshatin Tale të Lezhës u fut në një lokal me plot njerëz dhe qëlloi tre herë ndaj një 18-vjeçari. Ajo e kishte akuzuar këtë të fundit se rreth dy muaj më parë e kishte përdhunuar atë në një dyqan-kioskë, të cilin ajo e kishte në pronësi të familjes së saj. Por një muaj pas arrestimit, Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi ta linte të lirë 18-vjeçarin, duke argumentuar në sajë edhe të një raporti mjeko-ligjor, se 17-vjeçarja nuk ishte përdhunuar. Por pas lirimit të tij, adoleshentja duket se nuk është pajtuar me këtë vendim, sipas saj të manipuluar, dhe vendosi të bënte vetëgjyqësi. Me automatik në dorë, (po hetohet ku e ka gjetur armën), ajo u fut në lokal, por fatmirësisht djali u shpëtoi plumbave, pasi arriti të dalë me shpejtësi nga dera e pasme. Edhe klientët i shpëtuan mrekullisht kësaj ngjarje, duke u shtrirë përdhe. Burime nga gjykata bënë të ditur se nëna e 17-vjeçares i ka nisur një letër Kryeprokurores Ina Rama dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ajo u kërkon institucioneve të zbatimit të ligjeve që të analizojnë lirimin e 18-vjeçarit. "Pas krimit të përdhunimit të vajzës, mungesa e zbatimit të ligjit ma çoi atë drejt vetëgjyqësisë". Kështu mësohet t'i jetë drejtuar ministrisë dhe prokurorisë nëna e adoleshentes, e cila prej tre ditësh ndodhet në dhomat e paraburgimit. Sipas policisë, pak orë pas arrestimit të saj me akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë", në dyert e paraburgimit është dukur nëna e saj. Ajo i çoi së bijës rroba dhe disa ushqime, ndërsa pak minuta më pas u largua. Sipas burimeve të policisë, vajza është shprehur se 18-vjeçari, pas lirimit nga qelia kishte vazhduar sërish të dilte në afërsi të shtëpisë së saj duke tentuar madje t'i bënte presion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›