E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti, dyfish më i ndotur

 

GJIROKASTER - Ndotja në qytetin e Gjirokastrës po kap shifra dy herë më të larta se norma e lejuar. Alarmi vjen nga specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik. Ajri i ndotur, mungesa e investimeve për sistemin e kanalizimeve në qytet, janë shkaqet kryesore të përcaktuara. Niveli i lartë i pluhurave në atmosferë ka shtuar madje edhe rastet me sëmundjet bronkiale në Gjirokastër. Vetëm gjatë 4 muajve të para të këtij viti, janë konstatuar me sëmundje në aparatin respirues mbi 40 persona më tepër se vitin e kaluar. Ndërkohë Drejtoria e Shëndetit Publik ka bërë fajtor për këtë gjendje Bashkinë e Gjirokastrës, e cila sipas tyre nuk ka reaguar duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit, ndërkohë që kjo sipas bashkisë është përgjegjësi e Inspektoratit Mjedisor. Një tjetër faktor që përcaktohet nga specialistët e DSHP-së është dhe shpërthimi i ujërave të zeza, si pasojë e mungesës së kolektorëve. Ndotja është më tepër e pranishme në lagjet "Zinxhira", "Palorto", "Granicë", "Varosh", duke mos përjashtuar edhe lagjen më të madhe të qytetit "18 Shtatori" ku jetojnë rreth 20 mijë banorë. "Ujërat e zeza dhe veçanërisht avullimi i gazrave në temperaturat e stinës bëjnë që ndotja e ajrit të jetë dyfishi i normës së lejuar", pohuan për gazetën "Panorama" specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik.                  p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›