E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëplagoset me armën e shërbimit polici i burgut

 

KORÇE - Vetëplagoset efektivi i burgut të sigurisë së lartë me armën e shërbimit. Policia e Korçës bëri të ditur se Olsi Rexhollari është çuar rreth orës 01:00 në spital në gjendje të rëndë. Plaga në supin e majtë i kishte pësuar dëmtime masive të kockës. Për shkak se gjendja shëndetësore e 38-vjeçarit ishte serioze, mjekët e Korçës e nisën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mësohet se viktima ishte i pamartuar dhe jetonte vetëm me të ëmën. Pasi kishte mbaruar shërbimin dhe qëndruar në pijetore e më pas në një lokal të lojërave të fatit, rreth orës 22:30 të së hënës ai është kthyer në shtëpi. Dy orë më pas nëna e tij dëgjoi një krismë që vinte nga dhoma e të birit. Ajo u ngrit dhe gjeti djalin mes pellgut me gjak. Me ndihmën e fqinjëve të saj viktima u dërgua në spital ndërsa policia mbërriti në vend. Nga hetimet paraprake rezultoi se 38-vjeçari ishte konsumues alkooli dhe frekuentonte lokalet e lojërave të fatit. Sipas policisë dyshohet se ai të ketë tentuar të vrasë veten për shkak të borxheve të mundshme. Por ai i pohoi grupit të hetimit se ishte vetëplagosur aksidentalisht, teksa ishte duke u bërë gati për të fjetur.                                                     j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›