"Njësim i diplomave të infermierëve në vend"
Njësim të diplomës së infermierëve. Një standard për të gjithë. Si për ata që dalin nga shkollat publike dhe ata që mbarojnë universitetet privatë. Kjo ka qenë kërkesa kryesore që Urdhri i Infermierëve bëri dje gjatë konferencës kombëtare të infermierëve. Sipas përfaqësuesve të tyre, ndonëse më parë nga shkollat dilnin vetëm 400 infermierë në vit, tashme kjo shifër është rritur ndjeshëm. "Në vitin 1999 vetëm 1.8 përqind e infermierëve ishin me shkollë të lartë, ndërsa në 2008, kjo shifër ka arritur deri në 8 përqind dhe niveli do të rritet gjithnjë e më të tepër", u shpreh Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Kryeministri Berisha, i pranishëm në këtë konferencë tha se që nga viti 2005, pagat e infermierëve janë dyfishuar. "Nëse shqiptarët do të na japin votën për mandatin e tyre, shëndetësia do të jetë prioritet i prioriteteve. Ne kemi hedhur bazat për një reformë të thellë në sistemin shëndetësor", theksoi Berisha. Ndërsa shefi i zyrës së organizatës botërore të shëndetësisë në Shqipëri, Anshu Banerje, theksoi se standardizimi dhe formimi profesional i personelit të mesëm është një kërkesë në rritje. "Infermierët janë pjesa dërrmuese e forcës punëtore në shëndetësi në të gjithë botën. Shumë detyra që janë të mjekëve, delegohen tek infermierët, ashtu si disa detyra që janë të infermierëve bëhen nga ndihmësinfermierët", tha Bannerje. Kryetari i Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, Sabri Skënderi, theksoi se profesioni i infermierit po konfigurohet hap pas hapi dhe po fiton autonominë e tij. "Vendimi i qeverisë për fillimin e studimeve master të nivelit të parë dhe të dytë në infermieri është një arritje e madhe", tha ai. Në vendin tonë numërohen rreth 13 mijë infermierë. Infermierët mamitë dhe fizioterapistët në Shqipëri përbëjnë rreth 70 % të punonjësve të shëndetësisë.
Në kujtim të ditës ndërkombëtare, Fakulteti Infermierisë i Universitetit Amerikan të Tiranës organizoi grupe studentësh në pika të ndryshme të kryeqytetit për të kryer shërbime të ndryshme infermierore në ndihmë të njerëzve në nevojë.