Ministria e Punës: Ende kuota të lira për punësimin në Itali
Ende kuota të lira për punë sezonale në Itali. Këtë bën me dije Ministria e Punës. Pavarësisht se kërkesat për këtë kategori punëtorësh nisën që më 15 prill 2009, kur ishte edhe data ligjore e hyrjes në fuqi të dekretit në fjalë, 80 mijë kuotat e përgjithshme të vëna në dispozicion nga qeveria italiane ende nuk janë plotësuar. Vetëm tre javë nga kjo datë, punëdhënësit, si më sipër paraqitën diçka më shumë se 44 mijë kërkesa për punësim, qoftë individualisht, qoftë edhe përmes shoqatave të tyre të punëdhënësve. Në "klasifikimin" e posaçëm, sipas shtetësive, kryeson nënkontinenti indian, me më shumë se 10 mijë kërkesa për punëtorë bangladeshas dhe indianë; më pas vijon Maroku (thuajse 7 mijë kërkesa), Shqipëria (4 mijë) dhe Moldavia (3 mijë). Provincat që kanë regjistruar numrin më të madh të kërkesave janë Latina (6 mijë), Raguza (6 mijë) dhe Krotone (2 mijë). Ministria e Punës, që para botimit të Dekretit në Gazetën Zyrtare, që shënoi edhe hyrjen në fuqi tij informoi mbi përmbajtjen e tij, rrugët praktike të këtij punësimi, kuotat e disponueshme në çdo Rajon dhe Provincë të Italisë, sektorët ku lejohet ky tip punësimi.