Shkolla që 5 vjeç, hapen 50 klasa për të përgatitur fëmijët
ZIRINA LLAMBRO
Një vit parapërgatitje për në klasën e parë.Fëmijët 5-6 vjeçarë në të gjithë vendin, shumë shpejt do ta ndjekin me detyrim këtë "kurs". Tashmë projekti ka filluar. Ministria e Arsimit ka çelur 50 klasa me fëmijë të moshës 5-6 vjeç në qytetet kryesore, ku po përgatiten fëmijë për në arsimin e detyruar 9-vjeçar. Këto klasa janë hapur pranë ambienteve të shkollave. Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, metodika e mësimdhënies është hartuar në mënyrë të tillë që të vegjlit të mos ngarkohen. "Të gjitha njohuritë që ata marrin janë të asimilueshme dhe të përshtatura për këtë grupmoshë. Deri tani edhe prindërit janë mjaft të kënaqur", sqaron Drejtoresha e arsimit parashkollor në Ministrinë e Arsimit, Pranvera Kamani. Për vitin 2009-2010 synohet të hapen dhe 50 klasa të reja, duke e çuar numrin në 100. Deri tani futja e fëmijëve në këto klasa ka qenë me dëshirën e prindërve. "Aktualisht në kopshte tërhiqen rreth 65 për qind e kësaj grupmoshe dhe ne duam që shpejt të arrijmë që e gjithë grupmosha 5-6 vjeçare të marrë një vit përgatitor për të hyrë në klasën e parë. Ne kemi hapur 50 klasa përgatitore pranë shkollave 9-vjeçare. Këto 50 klasa janë hapur në gjithë vendin", tha Kamani. Sipas saj, kontingjenti që frekuenton më shumë këto klasa parapërgatitore është ai i fëmijëve romë dhe egjiptianë. "Kemi aktualisht rreth 1300 fëmijë 5-6 vjeçar që nuk kanë qenë më parë në kopësht. Fakti është që pothuajse 28 për qind e këtyre 1300 fëmijë, i përkasin grupeve etnike si romë e egjiptianë", nënvizoi Kamani. Fillimisht, ky ka qenë një projekt pilot, që nisi disa vite më parë, por tashmë po zgjerohet në të gjithë vendin, duke i paraprirë arsimit të detyruar. Strategjia që parashikon këtë është e ndarë në dy faza. Në të përcaktohet ulja e moshës së regjistrimit në shkollë me një vit (nga 6 vjeç në 5 vjeç). Sipas strategjisë 10-vjeçare për zhvillimin e arsimit parashkollor, fëmijët 5-vjeçarë, duke ndjekur një program të rregullt përgatitor do të kenë mundësi të mësohen me kërkesat bazë të të mësuarit. Në këtë mënyrë, ata do ta kenë shumë më të lehtë klasën e parë. Nuk dihet si do ta presin prindërit këtë ndryshim.