Adoleshentja në gjykatë: Më lini të abortoj
TIRANË- Gjykata e Tiranës duhet të vendosë së shpejti për abortin e një vajze vetëm 17-vjeçare, e cila ishte rritur në Shtëpinë e Fëmijës. Adoleshentja jetime, emri i së cilës nuk mund të bëhet publik për arsye etike, mësoi se ishte pesëmuajsh shtatzëne kur tashmë ishte ndarë nga i dashuri i saj 21-vjeçar. Mjekët i refuzuan abortin, pasi kjo është e ndaluar ligjërisht dhe rrezikohej seriozisht jeta e adoleshentes. Pasi ka marrë dhe refuzimin e mjekësisë për abort, vajza i është drejtuar dy ditë më parë policisë por as kjo nuk ka mundur që t’i japë zgjidhje. Tashmë vajza është detyruar që të shkojë në gjykatë sepse ky është institucioni i vetëm që mund të vendosë nëse 17-vjeçarja do të abortojë apo jo fëmijën. Burime nga policia thanë se është marrë në pyetje edhe 21-vjeçari, i cili nuk kishte dijeni se ish e dashura e tij kish mbetur shtatzëne.
Denoncimi
Rreth një vit më parë, 17-vjeçarja, e cila ishte rritur në Shtëpinë e Fëmijës, por më pas ishte larguar për të jetuar vetëm në konviktet e fakultetit të “Hoteleri-Turizmit” në Tiranë, kishte krijuar lidhje intime me një djalë katër vjet më të madh se veten. Pak javë më parë, adoleshentja ishte ndarë nga i dashuri i saj 21-vjeçar. Ndërsa pas ndarjes mësoi se kishte mbetur shtatzëne dhe prej mjekëve mësoi se ishte pesëmuajshe. Ajo kërkoi abortin e fëmijës gjë e cila u refuzua menjëherë nga mjekët. Këta të fundit nuk morën përsipër abortin për shkak se rrezikohej seriozisht jeta e 17-vjeçares pasi fëmija ishte pesë muajsh. Vajza nuk kishte kontaktuar me ish- të dashurin për t’i treguar se priste një fëmijë prej tij pasi ajo ishte e vendosur të hiqte fëmijën. Por refuzimet e mjekëve detyruan vajzën të kërkojë ndihmën e policisë dy ditë më parë.
Policia
Seksioni i luftës kundër krimeve seksuale regjistroi deklaratën e vajzës e cila tregoi se kishte mbetur shtatzëne me ish- të dashurin dhe donte të hiqte fëmijën por një gjë e tillë nuk ishte pranuar. Policia shoqëroi në polici 21-vjeçarin i cili deklaroi se nuk kishte dijeni për shtatzëninë eish- të dashurës së tij. Burime nga policia thanë se i riu do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur” pasi në kohën kur ai ka kryer marrëdhënie seksuale me të dashurën e tij ajo ka qenë 16-vjeçe. Të njëjtat burime thanë se tashmë do të vendosë gjykata nëse 17-vjeçarja do ta heqë apo do të mbajë fëmijën e saj.