QSUT, ndalohen reklamat me emrat e shefave mbi muret
Në pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, nuk do të jenë më emrat e shefave të shërbimeve apo mjekëve të afishuara në mure apo dyer. Tashmë, këtyre reklamave u ka ardhur fundi, pasi ambientet shtetërore do të mbeten të tilla dhe nuk do të konsiderohen më si ambiente private. Të paktën kjo është rregullorja e Drejtorisë së QSUT-së, e cila nuk i jep të drejtë askujt që të ndjellin pacientët pas emrave të tyre, që ngjajnë si reklama nëpër tabela.
Hiqen tabelat
Tabelat e mëdha, mbi të cilat shkruheshin emrat e shefave të shërbimeve si të ishin pronë e tyre, tashmë nuk ekzistojnë. Tashmë janë spastruar hyrjet e shërbimeve, mbi të cilat emrat e shefave zinin gjysmën e murit. “Shërbimet e spitalit nuk janë pronë private që shefat apo mjekët t’u vendosin emrat dhe titujt e tyre si të duan”,- pohojnë burime pranë QSUT-së, duke shtuar se kjo nuk do të lejohet më në ambientet e spitalit. Në spital vihet vetëm emri i shërbimit, sipas specialistëve dhe kjo vetëm pasi të jetë vendosur në Ministri të Shëndetësisë. Kjo nuk është thjesht një nismë e drejtorisë, por kjo ekziston në rregullore. Ndërsa shefat e shërbimeve, përballë kësaj rregulloreje, duket se nuk kanë rezistuar. “Nuk kanë ndonjë arsye që të reagojnë ndaj kësaj rregulloreje. Fakti që ato tabela me emra e tituj janë hequr dhe nuk janë rivendosur më, do të thotë se edhe mjekët janë dakord për zbatimin e rregullores”,- pohojnë burime zyrtare të QSUT-së, duke shtuar se edhe nëse dikush do të tentojë të vendosë përsëri emrin e tij, do ti hiqet në mënyrë të prerë nga muret. Nëpër ambiente private, sipas specialistëve, çdo mjek është i lirë të vendosë jo vetëm emrin, por edhe titujt dhe specializimet e tij. Madje, është i lirë që këto t’i vendosë në madhësi dhe format që ai do, por kurrsesi jo mbi muret e spitaleve shtetërore.