Adonis Filipi sjell “Menaxherja e qelqtë” në Teatrin Kombëtar
Muaji prill rezervon një axhendë të ngjeshur për shfaqjet në Teatrin Kombëtar. Edhe pse aktualisht po bëhen përgatitjet e fundit për vënien në skenë të komedisë “Të gjithë me huqe”, po përgatitet gjithashtu edhe një tjetër shfaqje. “Menaxheria e qelqtë” titullohet drama e autorit të njohur amerikan Tenes Uilliams. Regjisori Adonis Filipi e ka zgjedhur këtë vepër për të na përcjellë historinë e një familjeje amerikane nëpërmjet planit retrospektiv. Përmes kujtimeve që sjell ndër mend djali i kësaj familjeje do të ngjitet në skenë historia e një nëne dhe dy fëmijëve të saj tashmë të rritur. Nëna, e interpretuar nga aktorja Yllka Mujo, pas largimit të të shoqit, është fokusuar në gjetjen e një bashkëshorti për të bijën. Në këtë moment, Tomi, i sjellë në skenë nga Arben Derhemi, i risjell në vëmendje së motrës ish-shokun e saj të shkollës. Por zhgënjimi i vajzës, që interpretohet nga Monika Lubonja, ndodh kur ajo merr vesh se ky djalë është i fejuar. Kjo histori, me rrjedhën e një telenovele, do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar në datën 11 prill si produksion privat i kompanisë teatrore “Art Blu”. Drama “Menaxheria e qelqtë” është një vepër e dramaturgut të njohur amerikan.
31 Mars 2009