Humbet në bixhoz, shkatërron makinën e lojërave të fatit
Krujë – Nga dëshpërimi se humbi shumë para në bixhoz, të gjithë inatin ia nxori makinës me të cilën po luante duke e shkatërruar atë. Ngjarja ka ndodhur në Krujë dhe sipas të dhënave bëhet e ditur se autori i ngjarjes ka qenë 30-vjeçari Aleksandër Dedja, banues i këtij qyteti. Ai është arrestuar nga forcat e policisë pasi kur ka shkuar për të luajtur në një lokal “Lojëra fati”, ka humbur një shumë të konsiderueshme të hollash. Menjëherë pas kësaj ai ka shkatërruar makinën në të cilën po luante, e cila kap vlerën 5000 euro. Ai akuzohet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.
Gjen vdekjen në aksident burri i paidentifikuar, arrestohet i dyshuari
Fier – Një burrë në moshë rreth 60 vjeç ka gjetur vdekjen në një aksident rrugor, kurse policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes. Viktima është një burrë ende i paidentifikuar, që besohet të jetë banor i Fierit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në orën 19:30, në rrugën “Kryengritja e Fierit”. Policia tha se automjeti me targa FR 5613 C, që drejtohej nga 43-vjeçari Tomor Sinani, ka qenë duke përshkuar rrugën kryesore të lagjes kur ka përfshirë nën rrota një kalimtar. I ndjeri ishte duke ecur në anë të rrugës kur pësoi fundin tragjik. Nga hetimet e para policia dyshon se aksidenti erdhi kur drejtuesi i automjetit, për të shmangur një gropë, ka humbur kontrollin e timonit dhe ka goditur kalimtarin. Pas dërgimit të trupit në morgun e Spitalit të Fierit policia tha se nuk gjeti mjete identifikimi dhe po punon për të zbardhur identitetin e të ndjerit. Në lidhje me ngjarjen policia ka ndaluar 43-vjeçarin Tomor Sinani, të cilin e akuzon paraprakisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
31 Mars 2009