Kapet i dënuari për vjedhje, qarkullonte i lirë
Korçë – Ishte dënuar nga gjykata me burg për një vepër penale të kryer prej tij, por qarkullonte pa as më të voglin problem në qytet. Forcat e policisë së Korçës bënë të ditur se kanë mundur të kapin 19-vjeçarin Arif Guri, lindur dhe banues në fshatin Potgorie, pasi duhet të kryej dënimin për veprën penale të “vjedhjes”. Guri ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Korçës e kishte dënuar me 1 muaj e 20 ditë burg për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal.
Shtypi me autobus kalimtaren, arrestohet nga policia
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë arrestuar në flagrancë 50-vjeçarin Fatos Selenica, banues të këtij qyteti, pasi ka aksidentuar me pasoja të rënda 46-vjeçaren Fatmira Muçllari, banuese në fshatin Çeravë të Pogradecit. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, arrestimi i Selenicës u bë pasi duke drejtuar automjetin tip autobus me targë TR 8131 K, në aksin rrugor Pogradec-Korçë, në vendin e quajtur fshati Çeravë të Pogradecit, ka aksidentuar Muçllarin, e cila, pas aksidentit është dërguar menjëherë në spitalin e këtij qyteti në gjendje të rëndë shëndetësore. Tashmë ajo ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në rrezik për jetën. U kryen nga policia veprimet procedurale për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” e parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.
31 Mars 2009