E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufton me vdekjen pas aksidentit, i paidentifikuar 50-vjeçari



Shkodër – Një burrë rreth 50 vjeç është duke luftuar me vdekjen pasi u përplas nga një automjet, drejtuesi i të cilit u largua nga vendi i ngjarjes. Uniformat blu informojnë se ngjarja ka ndodhur mesnatën e së dielës, në aksin rrugor Bahçallëk-Shkodër, pikërisht te Ura e Bahçallëkut.
Policia sqaroi se i dyshuari i aksidentit është 43-vjeçari Nazmi Kurti, lindur në fshatin Rashkullaj të rrethit Malësi e Madhe dhe banues në fshatin Dobraç të komunës Rrethina në Shkodër. I dyshuari, duke lëvizur me automjetin e tij të markës “Audi” me targa të huaja CJ 028 PJ, ka përplasur një burrë që besohet të jetë rreth 50 vjeç, i cili po udhëtonte me biçikletë. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i biçikletës është dëmtuar rëndë. Ai është dërguar në Spitalin e Shkodrës, ku mjekët thanë se ndodhet në repartin e Reanimacionit, në rrezik për jetën. Policia tha se të plagosurit nuk iu gjetën dokumente, ndaj dhe ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij. Nga ana e policisë, katër orë pas ngjarjes u krye arrestimi i 43-vjeçarit Nazmi Kurti, i cili akuzohet paraprakisht, për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i ngjarjes”.

Arrestohet kosovari, u paraqit në kufi me pasaportë të falsifikuar

Durrës – Forcat e Policisë Kufitare në Durrës kanë arrestuar në flagrancë 24-vjeçarin Eqerem Bllaca, lindur dhe banues në Podujevë të Kosovës, pasi donte të kalonte me pasaportë të falsifikuar. Sipas të dhënave policore, ai u paraqit pranë autoriteteve të Policisë Kufitare në Portin detar të Durrësit me një pasaportë jugosllave me numër 001202482 në emër të Hajdin Bllacës. Bëhet e ditur se Eqerem Bllaca po kthehej nga Italia me tragetin “Aurelia” të linjës Bari–Durrës. Ndërkaq, forcat e policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasaportën për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave” parashikuar nga neni 189 i Kodit Penal.
e

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›