Shtëpia në flakë, vdes mistershëm 38-vjeçari Bujar Krasniqi
Lushnjë – Një 38-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë të mistershme mes flakët që përpinë shtëpinë, por policia dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje dhe pastaj me një zjarrvënie të qëllimshme në shtëpinë e tij. Bujar Krasniqit, i cili mbeti mes flakëve që digjnin shtëpinë e tij dje në orët e para të mëngjesit, i janë gjetur në trup dy plumba, gjë që e çon policinë të dyshojë për një vrasje për qëllime hakmarrjeje, që sipas saj, më pas vrasësit donin ta kamuflonin me zjarrvënie. Fatmirësisht kanë arritur të shpëtojnë paq nga kjo histori fëmijët e familjes Krasniqi, që kanë dalë jashtë në kohë, por pa mundur të bënin asgjë për babanë e tyre.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Gradishtë në Lushnjë. Një 38-vjeçar është djegur brenda në shtëpi, ku ka gjetur edhe vdekjen e menjëhershme ndërsa kanë arritur të shpëtojnë tre fëmijët e tij. Policia tha se viktima, identifikuar si Bujar Krasniqi, nuk ka mundur t’u shpëtojë flakëve të zjarrit që përfshinë gjatë natës banesën ku jetonte së bashku me familjen. Nuk dihet ende se si kanë mundur të shpëtojnë fëmijët nga flakët e zjarrit, ndërsa burime policore thanë se Krasniqi më parë duhet të jetë qëlluar me armë dhe më pas u përpi nga flaket. Zjarrfikësit, të njoftuar nga banorët e fshatit, nuk mundën ta parandalonin tragjedinë, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Pjesëtarë të familjes thonë se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Një prej pjesëtarëve deklaroi se ka parë një person, i cili po u vinte flakën dhomave të shtëpisë.
Dyshimet
Zjarri në banesën e familjes Krasniqi mund të jetë venë nga personat me të cilët kryefamiljari ishte në hasmëri. Sipas policisë, 38-vjeçari Bujar Krasniqi është vrarë me armë zjarri dhe më pas është djegur në shtëpinë e tij. Në trupin e tij u gjetën dy plumba. Trupi i të ndjerit u soll në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet edhe ekspertizës mjeko-ligjore. Zjarri ra rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe ishin fqinjët e familjes Krasniqi që e vunë re një gjë të tillë. Tre fëmijët mundën të dilnin pa probleme jashtë ndërtesës, ndërsa 38-vjeçari mbeti brenda. Burime nga vendngjarja thanë se kanë qenë fqinjët ata që kishin vënë nën kontroll gjendjen.
31 Mars 2009