Në rrezik jete 57-vjeçarja, kanoset nga bashkëjetuesi, që mbante armatim të rëndë
Shkodër – Një grua është gjendur në rrezik serioz për jetën, ndaj ka denoncuar bashkëjetuesin e saj në polici, duke bërë që një aksion i posaçëm të kryhet duke çuar në arrestimin e të dyshuarit dhe sekuestrimin e shumë armëve. Policia informoi se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në fshatin Kryezi të rrethit Pukë, ku dhe u arrestua banori i zonës, Pjetër Çuku, 65 vjeç.
Liza P., 57 vjeçe, banuese në fshatin Kryezi, ka njoftuar me anë të telefonit në Komisariatin e Policisë Pukë, duke treguar se është kanosur nga 65-vjeçari Pjetër Çuku, me të cilin ajo bashkëjetonte. Efektivat e policisë shkuan pa vonesë në banesë, ku ushtruan një kontroll të imtësishëm. Nga kontrolli u gjetën dhe sekuestruan 520 copë fishekë luftarakë model 56, 2 granata luftarake dhe 2 kapsolla ndezëse. Por nuk ishin vetëm këto materialet luftarake që posedonte 65 - vjeçari.
Nga kontrolli i një banese tjetër, të cilën Pjetër Çuku e kishte në ruajtje, u gjetën edhe një armë zjarri automatik tip “Kallashnikov”, tre granata luftarake, si dhe 1 364 copë fishekë luftarakë, model 56. Policia tha se municionet luftarake të gjetura në këto dy banesa, të cilat 65-vjeçari Pjetër Çuku i mbante pa leje, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në këtë pikë policia kreu dhe arrestimin e 65-vjeçarit Pjetër Çuku, të cilin tani e akuzon për veprat penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe të “kanosjes”.
31 Mars 2009