E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adrian Paci, në garë për çmimin e madh të Anglisë

Adrian Paci ngacmon edhe njëherë me performimet e tij. Artisti shqiptar, i cili prej vitesh jeton në Itali, është përzgjedhur mes tetë artistëve nga vende të ndryshme të botës si konkurrent i "Artes Mundi", një nga çmimet më të mëdha në Angli për artet pamore që mbahet në Wales. Tetë artistët që vijnë nga Bullgaria, Izraeli, Kirgistani, Peruja, Rusia dhe Tajvani do të konkurrojnë për çmimin prej 40000 paundësh. Adrian Paci do të prezantohet në këtë konkurs me video, fotografi dhe piktura që rrokin tema politike dhe të emigrimit. Vetë ai e ka provuar emigrimin disa vite më parë. Në edicionin e 2009-s, të titulluar "Arti i botës", kanë aplikuar më shumë se 480 artistë nga 80 vende të botës. Tetë artistët e përzgjedhur do të ekspozojnë në Muzeun Kombëtar Cardiff nga 11 marsi deri më 6 qershor të vitit 2010, ndërsa çmimet do të ndahen në maj. Tetë artistët janë përzgjedhur nga kritiku i artit Viktor Misiano, ish-kurator në muzeun shtetëror "Pushkini" të Qendrës së Arteve Kontemporane në Moskë dhe Levent Çalikoglu, kurator në Muzeun e Arteve Moderne në Stamboll. Konkursi, i themeluar në vitin 2003, është në kërkim të "artistëve të njohur nga e gjithë bota, të cilët stimulojnë të menduarin tonë mbi situatën e njerëzimit dhe humanitetin". Drejtori artistik Tessa Jackson shprehet se "qëllimi i këtij çmimi nuk është vetëm vlerësimi i talenteve të spikatura, por edhe prezantimi i arritjeve dhe mesazheve të tyre në skenën artistike britanike. Forca e këtyre punëve, e ndërlidhur me kontekstin dhe referenca kulturore, që për shumicën prej nesh janë të panjohura, përbën një mundësi shumë të mirë për të eksploruar botën e artit dhe të artistëve". Ndërsa themeluesi e këtij çmimi, William Wilkins ka thënë se përmes këtij çmimi donte të sillte botën në Wales dhe Wales në botë. Ndërsa vazhdon të jetë pjesë e konkurrimeve botërore, vetëm pak kohë më parë Paci ishte i pranishëm në Tiranë si pjesë e Bienales së Tiranës. Në hollin e hotel "Dajtit" vazhdon ende të projektohet videoja me të cilin ai u paraqit në edicionin e katërt të kësaj bienale.

ol.li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›