"Giffoni ‘09" nis nga Shkodra
Shkodra është i pari qytet që do të presë "Giffoni Filmfestival Shqipëria", në edicionin e pestë të tij në Shqipëri. Këtë vit jubilar, pjesë e këtij festivali të rëndësishëm kinematografik do të jenë filmat më të mirë të këtyre dy viteve të fundit. Ata do të nisin të shfaqen paraditen e sotme, duke filluar nga ora 09.00 në kinema "Millenium" në Shkodër. Rrugëtimi i këtij aktiviteti në disa qytete të Shqipërisë është kthyer tashmë në një traditë. Sivjet, në vitin jubilar, "Giffoni Filmfestival Shqipëria" e ka zgjeruar gjeografinë e shtrirjes së tij. Pas Shkodrës, filmat më të mirë të përzgjedhur për edicionin e pestë, fiction, por edhe realizime me metrazh të shkurtër do të kenë projeksionet e tyre në Durrës, Elbasan, Korçë për të mbërritur në fund në Tiranë. Kryeqyteti do të shënojë përmbylljen e këtij festivali. Një ceremoni e veçantë çmimesh që do të mbahet mbrëmjen e 28 tetorit në Teatrin e Operës dhe Baletit do të përzgjedhë edhe më të mirët e edicionit jubilar. Organizatorët kanë menduar tri seanca për dy kategoritë e jurisë, të moshës 12-18 vjeç dhe 18-19 vjeç, secila e përbërë prej 250 të rinjsh të përzgjedhur për të ndjekur këtë festival. Takimi midis të rinjve të së njëjtës moshë, nga vende të ndryshme, sikurse gjen vend në këtë festival, kthehet në një mundësi për të fituar një dialog ndërkulturor. Por, në të njëjtën kohë krijon mundësinë e njohjes dhe prezantimit të kulturës së një vendi si Shqipëria. Ndërsa tashmë ndodhemi në edicionin e pestë, "Giffoni Shqipëria" lindi nga një ide e Namik Ajazit, gazetar dhe regjisor shqiptar, i cili prej vitesh që nga 1995, ndjek me interes Festivalin e Giffoni-t. Qëllimi ishte rivendosja e raporteve historike që Festivali i Giffoni-t ka pasur me kinematografinë shqiptare. Kujtojmë se më shumë se 20 vite më parë "Giffoni" ishte i pari ndër aktivitetet në botë që paraqiti një përmbledhje të kinematografisë shqiptare. Edicioni i parë i "Giffoni Shqipëria" u zhvillua në nëntor të 2005-s në qytetet e Tiranës dhe Shkodrës, ndërkohë që nga edicioni në edicion ky festival është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë, duke çuar atje jo vetëm një zhanër të kinemasë që ka munguar vitet e fundit, por duke u kthyer edhe në një dialog të mirëfilltë mes kulturash. Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në këtë pikëpamje është i një rëndësie të veçantë, pasi qëllimi i shkëmbimeve kulturore është promovimi i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis popujve, nëpërmjet kontaktit direkt me realitete të ndryshme sociale e kulturore. "Giffoni Filmfestival Shqipëria" në këtë edicion jubilar të tij do të shtrihet në më shumë qytete për të qenë sa më afër publikut. Janë zgjedhur prodhimet më të mira të dy viteve të fundit për t‘u bërë pjesë e këtij aktiviteti, ndërkohë që edhe pjesëmarrja do të jetë më e madhe", shprehet Namik Ajazi, president i festivalit. "Broken Hill", një bashkëprodhim australiano-amerikan, "Si të mbijetoj vetëm" prodhim holandez, "Maksi i turpëruar", një film që vjen nga Danimarka, "Më i miri", "Yje të përflakur" janë disa nga filmat e gjatë që do të shfaqen për fëmijët dhe të rinjtë e qyteteve ku do të ndalojë festivali. Ndërkohë që programi i filmave me metrazh të shkurtër përfshin "Mbreti i ishullit", "Dita ime e fundit e luftës", "I madhi Piter Tozzi", "Në barkun e balenës", "Natyralisti", "Astrid", "Sbam", "Kapelja e vogël" dhe "Oi‘ Lioco". Kinemaja është tashmë një instrument i komunikimit social shumë i përhapur dhe i vlerësuar, pasi nuk bazohet vetëm në fjalë, por në fakte konkrete, të shprehura me imazhe të cilat ndikojnë fuqishëm te publiku. "Giffoni Shqipëria" synon të ofrojë imazhe pozitive, një vizion të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të drejtë jo të ndarë vetëm në të shtypur, shtypës, shfrytëzues e të shfrytëzuar, të mirë e të këqij, por një përpjekje e përbashkët për të respektuar të drejtat dhe detyrimet e përbashkëta të qytetarëve në botë. Një mentalitet i tillë sigurisht sjell një evolucion në mendësinë e të rinjve.
ol.li.
ol.li.