"Goldman Sachs", lumë fitimesh dhe bonusesh
Dy banka të mëdha të "Wall Street" kanë raportuar të ardhura shumë të majme, madje shumë më tepër nga sa e prisnin në periudhën korrik-shtator. "Goldman Sachs" ka pasur të ardhura për këtë periudhë prej 3.19 miliardë dollarësh, një rritje prej katër herësh në krahasim me vitin 2008. Ndërkaq, banka ka hequr mënjanë 5.35 miliardë dollarë për pagesat e shpërblimit dhe bonuset e punonjësve të saj. Sipas llogarive, çdo punëtori i takon që të marrë një shpërblim prej 172581 dollarësh. Banka tjetër, të ardhurat e së cilës janë rritur gjithashtu, është "Citigroup", por bëhet fjalë për shifra më të ulëta. Kjo bankë është më e hapur ndaj kredive të klientëve të ndryshëm dhe ka më shumë borxhe se banka tjetër, e cila është e përqendruar më së shumti te investimet bankare, si edhe të ndihma që u jep kompanive të ndryshme për t‘u shkrirë me njëra-tjetrën. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, "Citigroup" pati një humbje prej 2.82 miliardë dollarësh. Aktualisht, kjo bankë zotërohet 34% nga qeveria amerikane dhe ka humbur mbi 100 miliardë asete që nga nisja e krizës së kredive. Sipas "Goldman Sachs", duket se ka shenja të mira stabilizimi në ekonominë botërore. Shuma që kjo bankë ka hequr mënjanë për të paguar bonuset, pra 5.35 miliardë dollarë, e çon totalin për 9 muajt e deritanishëm në 16.7 miliardë dollarë. "‘Goldman‘ ka qenë gjithmonë paguesi më i madh i bonuseve, për arsyen e thjeshtë se në këtë bankë njerëzit arrijnë të bëjnë më shumë para për person se në çdo bankë tjetër", ka bërë të ditur një ekspert finance për BBC. "Problemi është thelbësor dhe është shumë kompleks. Ka shumë pak njerëz në botë që kanë aftësinë ta bëjnë një punë të tillë në banka dhe kjo është arsyeja që ata janë të paguar shumë mirë dhe çfarëdo pagese për ta nuk është e mjaftueshme". Pagesat e mëdha të bonuseve do të bëhen pavarësisht rregullave të reja që u vendosën edhe në takimin e fundit të G20 në Pitsburg në lidhje me kufizimin e pagesave dhe të shpërblimeve. Zyrtarët e 11 bankave të mëdha, përfshi edhe "Bank of Amerika" dhe "JP Morgan" kanë nënshkruar në favor të rekomandimeve të bëra në takimin e Pitsburgut.