Do të referojë në sesionin “Limitet gjeografike të BE-së dhe Politikat e Fqinjësisë së Mirë”
Kryeministri Berisha niset për në Vjenë
Kryeministri Sali Berisha u nis dje drejt Austrisë, për një vizitë një ditore, në kuadër të mbajtjes së konferencës “Bota në vitin 2025”: Vënia e personave në Zemrën e Evropës; bazat për një rigjallërim social dhe ekonomik”.
Kryeministri Berisha do të jetë referues në sesionin mbi “Limitet gjeografike të Bashkimit Evropian dhe Politikat e Fqinjësisë së Mirë” si dhe do të zhvillojë një sërë takimesh dhe bisedash me personalitetet dhe liderët e pranishëm në këtë konferencë.
Kjo konferencë e cila po zhvillon punimet në datat 15 deri më 17 tetor në Vjenë, organizohet si një iniciativë e grupimit politik evropian EPP-ED (Partitë Popullore Evropiane-Demokratët Evropianë), grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian dhe mbledh një larmi të gjerë aktorësh politikë dhe intelektualë të shquar nga e gjithë Evropa.
Këtë vit zhvillohet takimi me pjesëmarrjen më të gjerë, rreth 400 liderë evropianë, parlamentarë, akademikë, lider biznesi, analistë etj të cilët do të diskutojnë dhe rrahin mendimet mbi problemet gjeopolitike të Evropës, përfshirë këtu edhe zgjerimin dhe përballjen me krizën ekonomike, marrëdhëniet mes vendeve fqinje etj.
Kjo iniciativë ka marrë nisjen shtatë vite më parë dhe është zhvilluar në Oxford, Madrid, Berlin, Lisbon, Lyon, Warsaw dhe në Fiuggi.