Në Tiranë, për 100-vjetorin e futurizmit
"Italishtja mes shkencës, artit dhe teknologjisë" është tema e zgjedhur për edicionin IX të Javës së Gjuhës Italiane në botë, që do të zgjasë nga data 20 deri më 23 tetor. Për të kujtuar 100- vjetorin e publikimit të manifestit të parë të futurizmit, dy konferenca do të trajtojnë këtë lëvizje avangardë nga pikëpamja artistike dhe letrare. Profesor Enrico Crispolti, historian i artit bashkëkohor, ekspert italian i lëvizjes futuriste, do të inaugurojë më 20 tetor, edicionin IX të javës me një referat me titull "Identiteti dhe karakteri historik i futurizmit". Profesor Matteo d‘Ambrosio, pedagog letërsie në Universitetin "Federico II", do të bëjë një përmbledhje kritike të poezisë dhe letërsisë futuriste. Pranë Liceut Artistik "Jordan Misja" në Tiranë do të prezantohet një ekspozitë mbi veprën e një prej protagonistëve italianë të futurizmit, Mino Delle Site. Rreziku sizmik i Shqipërisë dhe tragjedia e fundit e ndodhur në Abruzzo e bëjnë aktuale ndërhyrjen që prof. ark. Mario Antonio de Cunzo do të referojë mbi temën e restaurimit të objekteve kulturore në zona sizmike. Pranë Fakultetit të Inxhinierisë, ku do të bëhet konferenca, do të prezantohet gjithashtu dhe ekspozita "Guglielmo Marconi: pionier i radiokomunikimeve, çmimi ‘Nobel‘ në fizikë 1909". Ndër shumë aktivitetet e tjera që janë menduar të organizohen gjatë këtyre ditëve do të projektohen edhe disa filma, mes të cilëve "Ngjyrat e rinisë" mbi jetën e Umberto Boccioni-t, një nga piktorët më të mëdhenj të lëvizjes futuriste. Aktivitetet promovohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Academia della Crusca, me qëllim përhapjen e gjuhës italiane në botë. Veprimtaritë organizohen nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me disa institucione kulturore shqiptare.