E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria do të përfitojë lëvizjen e lirë, në qershor të 2010-s

Pas garancisë së Olli Rehn, siguron edhe Presidenca suedeze e BE-së

Komisioni Evropian do ti japë konfirmimin zyrtar Shqipërisë, për lëvizjen e lirë në hapësirën e vendeve “Shengen”, brenda muajit qershor të 2010-ës. Kjo është garancia më e fundit që vjen nga zyrtarët e Brukselit. Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian, nëpërmjet përfaqësueses diplomatike në Shqipëri, Elisabeth Stam, deklaron se qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së, në 2010-ën.
“Mund të them me bindje të plotë se, nëse autoritet shqiptare ndërmarrin hapat e nevojshme, atëherë në 2010-ën, Shqipëria do të përfitojë nga regjimi i vizave.
Fillimisht duhen përmbushur kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyes, për të përfituar më pas një vlerësim pozitiv nga Komisioni”, u shpreh ambasadorja suedeze në Tiranë, Stam.
Ajo citoi ministrin e Jashtëm suedez, Carl Bildt, duke theksuar se “ai ishte shumë i qartë në një takim në Parlamentin Evropian në korrik 2009 kur tha: Realizimi i kushteve të KE-së, është kusht themelor, për lëvizjen e lirë”.
“Prodhimi i pasaportave biometrike, është një nga elementët kyç, për realizimin me sukses të këtij procesi”, deklaroi Elisabeth Stam. 
Më pas zonja Stam u ndal te perspektiva evropiane e Shqipërisë, lidhur me të cilën ajo theksoi se rruga tashmë është e qartë dhe nuk ka dyshime.
Ajo vlerësoi procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, si në nivel të kënaqshëm, përveç disa defekteve teknike.
“Gjatë presidencës suedeze, ne shpresojmë që ministrat e Jashtëm të BE të arrijnë një marrëveshje në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për në BE, për të bërë vlerësimin e saj. Sidoqoftë, zgjedhjet e qershorit në Shqipëri treguan se ky vend ka një perspektivë të qartë evropiane”, ka nënvizuar Stam.
Sipas saj, forcimi i pushtetit gjyqësor dhe lufta ndaj korrupsionit e krimit te organizuar mbeten kushtet thelbësore që vendi ynë duhet të plotësojë, për të arritur tek strukturat evropiane.
“Përveç përpjekjeve që duhen bërë, për të arritur standardet demokratike, Shqipëria duhet të forcojë administratën publike, sistemin gjyqësor dhe të luftojë më me efektivitet korrupsionin dhe krimin e organizuar. Progres raporti u publikua dy ditë me pare. Ky raport duhet të studiohet në detaje dhe me sytë hapur. Gjithë rekomandimet dhe këshillat e raportit duhet të zbatohen”, ka shtuar Stam.
Deklaratat e ambasadores suedeze vijnë vetëm një ditë pas raportit në Parlamentin Evropian, të Komisionerit të Zgjerim, Olli Rehn. Rehn, iu përgjigj një numri të madh pyetjesh nga ana e deputetëve, të cilat kishin të bënin kryesisht për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit perëndimor dhe kryesisht me Shqipërinë.
Eurokomisioneri Olli Rehn garantoi se Shqipëria do të përfitojë nga regjimi i vizave në qershor të 2010-s.
“Në mes të vitit 2010 do të propozohet nga vendet anëtare, liberalizimi i vizave për Shqipërinë”, u shpreh Rehn.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›