E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati pret katër artistë maqedonas

Behar Ferati, Ivana Natsenka, Zoran Boshkovski dhe Ritvan Haiti janë katër artistët maqedonas, të cilët disa ditë më parë çelën në qytetin e Beratit ekspozitën e titulluar "Arti në grafikë". Për një javë rresht, ekspozita e artistëve maqedonas ka qëndruar e hapur në qytetin e një mbi një dritareve. Punët e secilit prej artistëve kanë qenë të ekspozuara në salla më vete. Behar Ferati, i cili është edhe drejtuesi i grupit të artistëve, tha se kjo ekspozitë është një ëndërr që u realizua, pasi prej disa viteve është menduar dhe dëshiruar të realizohet një bashkëpunim midis dy vendeve, mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ferati është shprehur se artistët maqedonas, erdhën në Berat me anë të një ftese nga ana e drejtorit të Galerisë së Arteve "Eduart Lear" në Berat, piktorit Agron Polovina. Behar Ferati është paraqitur në këtë ekspozitë me një sërë punimesh, të cilat janë të zhanrit grafik dhe teknik të kombinuar. Ndërsa tre piktorët e tjerë kanë paraqitur në grafika të realizuara në bardhë e zi. Behar Ferati ka sqaruar se në këtë ekspozitë artistët kanë sjellë për publikun rreth 78 punime të realizuara në teknikën grafike, si litigrafi, monotip, teknika të kombinuara në ngjyra, materiale akuatinë etj. "Edhe pse kjo lloj gjinie nuk është shumë e njohur për publikun, kjo teknikë origjinale, siç është grafika figurative në të cilën ka kombinim të veçantë ngjyrash, autori mund të shprehet më së miri me botën e tij shpirtërore dhe lidhjet e tij të brendshme me jetën që e rrethon piktorin", shprehet Behari, duke shtuar se autorët e ekspozitës kanë përcjellë nëpërmjet saj edhe një mesazh për të gjithë popujt e Ballkanit: "Duhet të ketë mirëkuptim". Piktorët, të cilët vizituan dhe qëndruan në Berat për disa ditë bashkë me punimet e tyre kanë marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të rëndësishme, ku janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Artistët maqedonas janë figura të shquara të artit figurativ, profesorë dhe kuratorë arti, si edhe pjesëmarrës e fitues çmimesh në shumë bienale botërore të grafikës në format të vogël, të mesëm e të madh. Sipas artistit shqiptar Behar Ferati, arti është ura më e mirë e miqësisë që lidh dy vende. Është pikërisht ai që sheshon kufijtë.

M.Haxhialiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›