E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adrian Paci, pretendent për çmimin “Artes Mundi”



Artisti shqiptar, Adrian Paci, është përzgjedhur si një ndër tetë artistët kandidatë për çmimin e artit bashkëkohor “Artes Mundi”, i cili ndahet në Angli në muajin maj. Ai është përzgjedhur mes 480 pjesëmarrësish nga 80 vende të botës, të cilët kanë paraqitur punët e tyre për këtë çmim prestigjioz prej 40 mijë paundësh. Përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga dy specialistë të fushës, kuratori i pavarur dhe kritiku i artit, Viktor Misiano, ish-kurator në Muzeun Shtetit “Pushkin” dhe Drejtor i Qendrës për Artin Bashkëkohor (CAC) në Moskë, dhe Levent çalikoglu, kreu i kuratorëve në Muzeun e Artit Modern në Stamboll. Në veprat me të cilat Paci është paraqitur në këtë konkurrim, rikrijon përvojat personale, duke përdorur teknika të tregimit tradicional. Ai reflekton mbi historinë e tij të pazgjidhur si një person që jeton jashtë vendit të tij, një situatë që shumë janë të detyruar të përjetojnë tanimë. Me familjen e tij ai la Shqipërinë në vitin 1997, për t’u vendosur në Itali. Ai u drejtohet politikave të dhimbshme të Shqipërisë dhe realiteteve të migrimit përmes filmit, fotografisë dhe pikturës. Në punën e tij e hershme ai rikrijoi përvoja shumë personale, brenda rrethit të tij familjar, ndërsa në punët më të fundit, preferon tema më universale. Ai nuk ngurron të përziejë imagjinatën dhe realitetin, duke kombinuar humorin, patosin dhe ndjeshmërinë.
“Një botë, i gjithë njerëzimi”, kështu shkruhet në galerinë ku do të zhvillohet ceremonia e çmimit. Sipas organizatorëve, qëllimi i këtij edicioni të katërt nuk është thjesht dhe vetëm të vlerësojë artistin më të mirë bashkëkohor, por të japë përmes tyre edhe gjendjen në të cilën ndodhet njerëzimi sot. Artistët trajtojnë çështjet të identitetit kombëtar, globalizimit, konsumizmit, propagandës dhe migrimit. Duke përdorur mediume të ndryshme si pikturë, fotografi, film, video, tinguj, instalimin dhe vizatim, ata paraqesin ndikimin e ndryshimeve ekonomike dhe politike në mjediset e tyre rurale apo urbane, por edhe më gjerë. Nga tregtarët e Kirgistanit tek fabrikat tajvaneze të mëndafshit, dasmat shqiptare, etj. është jeta e njerëzve të zakonshëm anembanë globit, e cila vjen më afër përmes punëve të artistëve. Ekspozita me punët e tetë artistëve do të qëndrojë e hapur deri në qershor në “National Museum of Wales”, në Kardif.

Kandidatët

Adrian Paci,
Shqipëri

Yael Bartana,
Izrael

Fernando Bryce,
Peru

Ergin çavusoglu, Bullgari

Chen Chieh-jen, Tajvan

Olga Chernysheva, Rusi

Gulnara Kasmalieva e Muratbek Djumaliev,
Kirgizstan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›