Thirrja e SHBA-së në samit:Ruani materialet bërthamore!
Kombet e mbledhura në samitin e Uashingtonit kanë rënë dakord të martën të bllokojnë “aktorët jo-shtet” nga sigurimi i materialit nuklear për qëllime të këqija, si një nga masat më të reja për sigurinë globale. Sipas “Reuters”, agjencia e parë që ka siguruar draftin, dokumenti i përbashkët bën thirrje gjithashtu për kontrolle të reja të uraniumit të pasuruar shumë dhe plutoniumit të veçuar, si elementët kryesorë të armëve nukleare, ndërkohë që njohën se hapat e sigurisë nuk duhet të ndërhyjnë në të drejtën e shteteve që të zhvillojnë për qëllime paqësore energji nukleare. Presidenti amerikan, Barak Obama u tha delegacioneve nga 47 vendet në samit se ishte koha për veprim të përqendruar global për të frenuar humbjen e materialeve nukleare dhe shtoi se nëse Al Kaedës i bie në dorë një armë atomike, kjo do të ishte “një katastrofë për botën”. Komunikata përmban një sërë premtimesh të përgjithshme, në të cilat vendet premtojnë se do të rrisnin përpjekjet për mbrojtjen e materialeve bërthamore që kanë nën kontroll. Por për sa i përket disa vendeve të zhvilluara, të cilat duan të nisin programet e tyre nukleare civile, samiti ka mbështetur gjithashtu “procedura të forta sigurie nukleare që nuk do të ndërhyjnë në të drejtën e shteteve për të zhvilluar energji nukleare për qëllime të dobishme”. Samiti ka inkurajuar vendet që të konvertojnë reaktorët e tyre nuklearë nga pastrues të lartë të uraniumit në pastrues të ulët të tij, që janë më pak të rrezikshëm. Në deklaratën e përbashkët në 47 vendeve të samitit u riafirmua roli qendror i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike për Energjinë (IAEA), organi mbikëqyrës nuklear i Kombeve të Bashkuara dhe u mbështet autoriteti i agjencisë për mandatin e saj. Në samit u kërkua bashkëpunim më i madh ndërkombëtar për të parandaluar me efektivitet incidente nukleare me qëllim keqdashës trafikimi. Vendet ranë dakord për të bashkëpunuar në sektorin e sigurisë dhe të përmirësojnë “kulturën e sigurisë nukleare”.