E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili në Kinë: Bashkëpunim për sigurinë e ilaçeve



Bashkëpunim me Kinën për sigurinë e barnave dhe shkëmbim eksperiencash për një sërë sëmundjesh. Këto do të jenë fushat prioritare, por nuk do të mungojnë as njohja e mjekësisë tradicionale kineze në fushën e prodhimit të barnave. Gjithçka është konkluduar gjatë takimeve që Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka zhvilluar me përfaqësuesit më të lartë të shëndetësisë në vizitën e tij në Kinë. Takimi i parë zyrtar u bë në Ministrinë e Shëndetësisë kineze, ku delegacioni u prit nga Ministri i Shëndetësisë kineze, z. Chen Zhu. Në bisedën dypalëshe u përmend miqësia e mirë që ekziston midis dy vendeve tona dhe u ra dakord për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e shëndetësisë. Ministri Vasili përmendi si të rëndësishme zbatimin e një plan veprimi konkret të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, për fusha me interes të përbashkët. U ra dakord për ngritjen e grupeve dypalëshe të punës, të cilët do të propozojnë veprime konkrete në disa fusha prioritare të bashkëpunimit. Ato do të përfshijnë edukimet dhe trajnimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në sektorë prioritarë shëndetësore, si dhe bashkëpunim për njohjen e mjekësisë tradicionale kineze dhe praninë e saj në Shqipëri. Po kështu do të bëhet shkëmbimi i eksperiencave në fushën e sëmundjeve të gjakut, si dhe transplantet e palcës së kockës. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shkëmbimit të informacionit shëndetësor në kohë reale ndërmjet dy vendeve për sëmundjet infektive dhe kronike. Gjithashtu u ra dakord për vizita të tjera të grupeve dy palëshe në fushat e interesit të përbashkët. Në takimin e zhvilluar tek Agjencia e Sigurisë së Ushqimeve dhe Barnave u ra dakord që do të ketë bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e sigurisë së barnave mes të dy vendeve. Së shpejti një delegacion me ekspertë teknike në fushën e cilësisë dhe sigurisë së barnave do të vizitojë Kinën për shkëmbim eksperience. Po kështu, ministri Vasili zhvilloi një takim të zgjeruar në institucionet kryesore të mjekësisë tradicionale kineze. Në vizitën e kryer në spitalin e mjekësisë tradicionale kineze, Guang an Men, ministri dhe ekipi i tij u pritën nga drejtues të këtij spitali dhe vizituan të gjithë pavionët e tij, si dhe vendin ku prodhoheshin barnat tradicionale kineze me bazë bimësh medicinale. Më pas, ministri u takua me autoritetet më të larta menaxhuese të mjekësisë tradicionale kineze, ku u theksua se do të ishte me interes njohja e kësaj mjekësie në Shqipëri si komplementare e mjekësisë perëndimore, si dhe nëse do të ketë interes të mëtejshëm, të shihet mundësia e edukimit të të rinjve shqiptarë në këtë fushë.

Shqipëria, më pak vdekje nënash se Britania
Shqipëria ka numrin më të vogël të vdekjeve të grave shtatzëna në rajon, madje renditet më lart se vende që janë shumë më të zhvilluara, si Britania e Madhe apo SHBA. Shqipëria renditet e 22-ta në renditjen e 181 vendeve, me një përqindje të vdekjeve 8 në 100 mijë gra shtatzëna, ndërsa në 1990 Shqipëria shënonte 36 vdekje në 100 mijë gra. Në vendin e 23 renditet Britania e Madhe, e cila ka të njëjtat shifra të vdekshmërisë me ato të 20 viteve më parë. Në vendin e 40 renditet SHBA. Studimi konstaton se në përgjithësi në vendet e Evropës Perëndimore ka pasur një rënie të vdekshmërisë nga 1990- 2008. Nga vendet e rajonit, Greqia renditet në vendin e 25, Serbia në vendin e 28, Bosnje Hercegovina në vendin e 34, një vend më poshtë është Kroacia. Maqedonia është renditur në vendin e 41-të, duke lënë pas Malin e Zi në vendin e 44 dhe Rumaninë në vendin e 54.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›