Autoktonët e Tiranës: Të ndërpriten punimet në shesh
Punimet e nisura nga Bashkia e Tiranës, për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, duhet të ndërpriten.Në këtë emërues të përbashkët kanë arritur përfaqësuesit e shoqërisë civile, arkitektë dhe aktorë të tjerë që kanë lidhje me zhvillimin urban të kryeqytetit. Komentet u bënë gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata “Tirana”. Kryetari i saj Arben Tafaj shprehu shqetësim për mosmarrjen e mendimeve nga qytetarët e Tiranës për këtë shesh. “Nuk është bërë asnjë konsultim me autoktonët e Tiranës. Ndërkohë që pretendohet se është marrë mendimi i qytetarëve. Nuk e dimë se i kujt qytetarëve, por të paktën me tiranasit e vjetër, nuk janë bërë takime për sheshin “Skënderbej”,” tha Tafaj. I ftuar në këtë takim ishte edhe Prefekti i Tiranës, Kletis Kruja. Ai e konsideroi si ngërç ligjor nisjen e punimeve në shesh nga ana e bashkisë. Projekti është kundërshtuar edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan ndërprerjen urgjente të punimeve. Nuk kanë munguar as komentet e ekspertëve të arkitekturës, të cilët e kanë konsideruar “difektoz” projektin që po zbatohet. Pavarësisht debateve të shumta, krahas punimeve, në sheshin “Skënderbej” ka filluar puna për fazën e dytë të punimeve edhe në zonat që rrethojnë qendrën e Tiranës. Ato tashmë do të shtrihen përreth sheshit, përpara Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, Bankës së Shqipërisë dhe në lulishten pas monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Disa ditë më parë, Kryeministri Berisha ftoi kundërshtarin e tij politik të pezullojë punimet dhe t’u nënshtrohet diskutimeve të gjera e transparente të qarqeve akademike e mediatike të vendit. Ndërsa, drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Gjergj Bojaxhi, i kërkoi Bashkisë së Tiranës të marrë lejet përkatëse për vijimin e punimeve në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. Ai theksoi se, nëse bashkia nuk zbaton ligjin, INUK do të bëjë shkresë për të anuluar punimet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Ndërkohë, vetë Bashkia e Tiranës ka shmangur polemikat duke kërkuar bashkëpunim të të gjithë aktorëve për vënien në zbatim të projektit për sheshin. Kreu i saj, Edi Rama ka kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që do t’u shkaktohen në qarkullimin e automjeteve.
Kufizimi i trafikut
Faza e dytë e punimeve do të kufizojë trafikun përreth qendrës, Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar, në fillim të rrugës së “Kavajës” dhe para Bankës së Shqipërisë. Tashmë qarkullimi i automjeteve do të orientohet në Unazën e Vogël pjesërisht, në rrugën pas Muzeut Kombëtar, duke vazhduar pas Bankës së Shqipërisë, duke u lidhur nëpërmjet urës së re mes pallateve “Shallvare” dhe pallateve “Agimi”, me dy senset e unazës. Rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit” do të bëhet me dy kalime.