E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranon krimin, shpallet e pafajshme



Fatos Mahmutaj

Gjykata e Durrësit i jep pafajësi gruas që futi në burg burrin me akuza të rreme të pranuara edhe prej vetë bashkëshortja. Vendimi është dhënë pak kohë më parë në Gjykatën e Durrësit, ndërsa i shoqi ka kërkuar nga burgu që çështja të shqyrtohet në Apel. Gjykata e Durrësit pasi ka shqyrtuar ankesën e vëllait të Feriz Ismalajt, ka vendosur ta rrëzojë atë duke i dhënë pafajësi Afërdita Ismalajt, edhe pasi ajo vetë e ka pranuar faktin se ka bërë kallëzim të rremë kundër bashkëshortit. Problemet me drejtësinë të familjes Ismalaj me origjinë nga Tropoja dhe banues në ish-kënetën e Durrësit, do të nisnin më 17 dhjetor 2004. Vajza e Ferizit, atëherë vetëm 12 vjeç denoncoi në polici babain për dhunë seksuale. Efektivët e policisë vunë në pranga babain, tashmë 58-vjeç ndërsa dërguan për ekspertizë mjeko-ligjore vajzën. Në aktin e ekspertimit të përpiluar me këtë rast mjekët konkluduan se në mbathjet e vajzës kishte njolla të lëngut spermatik, ndërsa nuk vëreheshin dëmtime të tjera. Kjo ishte një provë e pakontestueshme, ndërsa një ditë më vonë gjykata zhvilloi një seancë për sigurim prove, ku gruaja dhe vajza të Feriz Ismalajt pohuan incestin para trupit gjykues. Një ditë më vonë, nënë e bijë, të penduara për denoncimin dhe dëshminë në gjykatë, duke menduar edhe pasojat e rënda të pritshme, u paraqitën sërish në gjykatë duke kërkuar lirimin e të arrestuarit pasi denoncimi sipas tyre ishte i bazuar në fakte të pa vërteta. Afërdita Ismalaj duke shfajësuar bashkëshortin nga përgjegjësia penale pohoi se e kishte denoncuar burrin për shkak të dhunës fizike që ai ushtronte ndaj saj dhe fëmijëve. Sipas tyre, familja ishte larguar nga Tropoja dhe ishte vendosur në Durrës për shkak të problemeve ekonomike, por edhe aty ata nuk kishin mundur të rregullonin gjendjen pasi të dy bashkëshortët nuk kishin mundur të siguronin punë. Për shkak të problemeve të shumta kryefamiljari konsumonte alkool dhe në gjendje të dehur ushtronte dhunë fizike ndaj të shoqes. Për të shpëtuar nga dhuna, bashkëshortja tha se denoncoi në polici të shoqin duke pretenduar përdhunimin e vajzës, të cilës i kishte veshur më parë mbathjet e saj, të cilat i kishte pasur veshur gjatë kohës që kishte kryer marrëdhënie seksuale me burrin. Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila gjykoi dhe dënoi me 18 vjet burg Feriz Islamajn, refuzoi të pyeste si dëshmitare bashkëshorten dhe vajzën e të pandehurit. Gjykata i mori si të mirëqena dëshmitë që ato kishin dhënë në momentin e denoncimit. Pas dënimit të Ismalajt, Prokuroria e Durrësit pushoi çështjen penale për kallëzim të rremë ndaj bashkëshortes Afërdita Ismalaj. Gjykata e Durrësit la në fuqi vendimin e prokurorisë, çka detyroi të burgosurin që t’i drejtohej Gjykatës së Apelit, e cila pritet që të shqyrtojë kërkesën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›