E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriana Tolka: Jetoj me aktrimin dhe muzikën



Ajo është një aktore mjaft e këndshme, e brishtë dhe e lirshme në skenë teksa interpreton personazhet e saj. Gjithmonë është cilësuar si aktore me një gamë të gjerë rolesh dhe karakteresh. Është diplomuar për dramë në vitin 2000. Vazhdimisht ka spikatur në shumë vepra dhe ka pasur një karrierë artistike të rregullt pa shkëputje. Ka pak vite që interpreton në skenë dhe, pa dyshim, bën pjesë në atë brez aktorësh të rinj që sjellin diçka të re në skenën e teatrit. Kjo është aktorja Adriana Tolka, e cila me përpjekje, punë dhe dëshirë ka ecur gjithmonë përpara. Me personazhet që ka vendosur në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e vlerëson për atë që ajo sjell në teatër si një aktore e re e skenës shqiptare. Aktorja Adriana Tolka, e cila ka një karrierë të pasur artistike, edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve që interpretojnë në skenë, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet për një periudhë të shkurtër kohore. Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë e sigurt drejt këtij profesioni ka qenë fakti i të qenit gjithmonë e përkushtuar në punë. Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Në një intervistë për “Albania Weekend”, aktorja rrëfen për emocionet në skenën teatrore, si dhe projektet artistike të mëtejshme. Më tej ajo tregon për projektet dhe rolet më të spikatura që ka pasur gjatë këtyre dhjetë viteve. Daljen në skenë e kujton me shumë emocione edhe pas dhjetë vitesh; “Dalja ime e parë në skenë ka qenë në vit të tretë në gjimnaz ndërsa profesionale ka qenë në vit të tretë në fakultet me pjesën e Armando Boro “Ëndrra e një nate vere” që mori pjesë në festivalin e “Butrintit” ku kisha një rol gjysmë femër dhe gjysmë mashkulli, isha shitësja ambulante që mendohej se kisha sjellë Doruntinën. Personazhi ishte një farsë dhe ngaqë ishte i trilluar edhe vetë autori Armando Boro e kishte trilluar të tillë, kishte zgjedhur një femër në rolin e një mashkulli dhe nuk kishte bërë një ndarje të gjinisë. Kushdo mund të merrte përsipër dhe të thoshte që kishte sjellë Doruntinën si e si të mos rikrijohej miti, të mos dilte një tjetër personazh i barabartë me Jezuesin i cili ringjallej pas vdekjes. Mbajë mend që kur është vënë kjo pjesë kam pasur shumë emocione, dalja në skenë është më i vështirë se një provim. Tre shfaqjet e para i kam përjetuar me shumë emocion dhe është për të ardhur keq kur emocionet të veniten dhe të duhet një forcë shumë e madhe për të rigjetur atë emocion. Aktori nëse nuk përfshihet në emocion nuk transmeton tek publiku”-pohoi Tolka. Adriana është një aktore e lindur por në të njëjtën kohë është dhe një këngëtare shumë e mirë. Pasioni që ndjek Adrianën është muzika. Më tej, gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.
Kush është Adriana Tolka për publikun?
Adriana është nja vajzë nga Tirana, e diplomuar në fakultetin e Arteve të Bukura për dramë në vitin 2000dhe që atëherë në mënyrë sistematike jam angazhuar në shumë projekte teatrore në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, me kompani teatrore private dhe më së fundmi me dy punë në teatrin “Metropol”. Direkt pas diplomimit kam qenë pjesëmarrëse në dramatizimin e veprës së Isamil Kadares “Ëndrra e një nate dimri”, mbi legjendën, mbi gojëdhënën e Konstandinit. Kjo vepër u bë pjesëmarrëse e Edicionit të parë të festivalit të “Butrinti 2000” dhe pas kësaj menjëherë sapo mbarova shkollën e pikasur nga regjisori Gëzim Kame mora pjesë në një rol shumë të rëndësishëm në komedinë Stjuardesat në rolin e “Amerikanes” përkrah emrave të njohur të teatrit Roland Trebicka, Mirush Kabashi, Elvira Diamanti, Mehdi Malkaj dhe Suela Konjari. Mbajë mend që kjo komedi u prit aq mirë sa në atë kohë është dhe dy herë të tjera në sallën e baletit të Teatrit të Operas me 900 spektator dhe kanë qenë vite shumë të bukura pasi pasuam me turne të ndryshme dhe duartrokitje të mëdha dhe ajo kohë nuk më është kthyer kurrë pas. duke menduar atë kohë them me bindje se kompanitë teatrore duhet te stimulohen më shumë pasi nuk mund të varen shpresat vetëm tek një teatër.
Si ka nisur rruga drejt aktrimit. Ka qenë një pasion i lindur apo ka ndikuar ndonjë në zgjedhjen tuaj?
Në fakt gjërat kanë ardhur gradualisht. Që e vogël kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj për fat të mirë dhe është një armë shumë e fortë e të qenit si aktore dhe më ka shërbyer në skenën e teatrit. Që në fëmijëri kam fituar dy çmime për këngë në Pallatin e Pionerve por jo shumë veta më njohin në këtë fushë. Më vonë vazhdova gjimnazin e përgjithshëm dhe dëshira e mija ndryshuan në shumë drejtime. Në vitet ’93-’94 duke u aktivizuar me të rinjtë e shkollës “Sami Frashëri” dhe duke qenë një nga nxënësit më aktiv vazhdova dhe të merresha me aktrim apo ca pjesë të vogla dramatizimi dhe aty më vunë re të gjithë talentin dhe unë e ndjeja deri në momentin që vendosa të konkurroj dhe fitova. Mbajë mend që kam përjetuar një emocion dhe gëzim të madh momentin kur kam parë emrin në krye të listës. Shpesh herë më thonë që ke pasur mundësi të zgjedhësh një tjetër profesion pasi kam qenë një nxënëse shumë e mirë por gjithmonë jam përgjigjur se asnjëherë nuk jam penduar për këtë profesion pasi nuk kam dashur kurrë të jem një profesioniste mediokër,dua të bëj në jetë atë çka bëj më mirë. Sigurisht që terreni për zhvillimin e artit sot sidomos të teatrit është shumë i vështirë por kjo nuk ndodh vetëm në art por në të gjitha profesionet. Me pak fjalë e gjithë jeta është çështje zgjedhjesh por edhe terrene ku zgjedh. Në fakt nga natyra jam shumë shpirtërore nuk mund të bëja thjeshtë zgjedhje me kokë me arsye, unë dua ta shijoj atë që bëj. Kërkoj një jetë dinamike dhe krijuese pasi vetëm ajo më kënaq edhe pse sjell më pak të mira materiale; Akili ka thënë, “Një jetë e shkurtër dhe e lavdishme”.
Si e kujtoni daljen tuaj të parë në skenë?
Dalja ime e parë në skenë ka qenë në vit të tretë në gjimnaz ndërsa profesionale ka qenë në vit të tretë në fakultet me pjesën e Armando Boro “Ëndrra e një nate vere” që mori pjesë në festivalin e “Butrintit” ku kisha një rol gjysmë femër dhe gjysmë mashkulli, isha shitësja ambulante që mendohej se kisha sjellë Doruntinën. Personazhi ishte një farsë dhe ngaqë ishte i trilluar edhe vetë autori Armando Boro e kishte trilluar të tillë, kishte zgjedhur një femër në rolin e një mashkulli dhe nuk kishte bërë një ndarje të gjinisë. Kushdo mund të merrte përsipër dhe të thoshte që kishte sjellë Doruntinën si e si të mos rikrijohej miti, të mos dilte një tjetër personazh i barabartë me Jezuesin i cili ringjallej pas vdekjes. Mbajë mend që kur është vënë kjo pjesë kam pasur shumë emocione, dalja në skenë është më i vështirë se një provim. Tre shfaqjet e para i kam përjetuar me shumë emocion dhe është për të ardhur keq kur emocionet të veniten dhe të duhet një forcë shumë e madhe për të rigjetur atë emocion. Aktori nëse nuk përfshihet në emocion nuk transmeton tek publiku.
Sa ka arritur gama e roleve deri tani?
Gjatë këtyre viteve kam provuar të bëj role edhe me peshë edhe role dytësore por që kanë qenë karaktere dhe kanë qenë të rëndësishme për veprën. Sigurisht që çdo aktor do donte të luante rolet e para por mbase regjisorët nuk më kanë parë. Edhe pse jo çdo herë nuk më është besuar rol kryesor puna ime ka qenë sistematike, vazhdimisht jam e kërkuar dhe më janë besuar role të vogla që kanë qenë shumë të vështira kjo më ka kënaqur. Gjithmonë kam spikatur me role karakteresh dhe është shumë e vështirë të bësh karakterin pasi heroinën mund ta bësh kollaj sepse luan vetveten por të krijosh një personazh tjetër me veti të tjera nga të tuat është më e vështirë akoma. Rolet e mija variojnë nga “Stjuardesa”, “Guverantja” të cilat lëvizin me elegancë apo tek “Zonja Makbeth” të cilat kanë elegancën, sharmin tek personalitete e tyre deri tek “Ciganja” që është shumë alegro dhe pa komplekse për jetën, tek një notere e cila nuk ka lidhje fare me profesionin por që është një grua e rëndomtë e ditëve tona apo tek një trojane e sfilitur brigjeve të Trojës e cila pret që ti merret jeta nga Grekët. Më pëlqen që zhanri ku unë mund të luaj është shumë i gjerë dhe regjisorët më shohin në një zhanër të gjerë dhe kjo është shumë e rëndësishme për aktore.
Cilin rol do të veçoje si më mbresëlënës?
Them ndoshta dhe nga arritja profesionale ka qenë Amerikania tek “Stjuardesat”. Pastaj një rol tjetër ka qenë Cigania tek spektakli Rokoko ka pasur shumë suksese edhe pse njerëzit shpesh kanë dashur ta zbulonin se kush ishte kjo cigane edhe pse Vera Grabocka donte ta zbulonte si personazh. Për mua një rol në teatër është shumë më profesional sesa nja rol në televizion pasi është një rol komercial dhe nuk mund të ketë ndonjë mjeshtëri të madhe, kam bërë gjërat që i kam pasur talent. Ndërsa nga ana profesionale roli më i arrirë ka qenë roli i “Nënës” së fundi në janar në dramën Keqkuptimi i të të madhit Albert Kamys. Me këtë shfaqje patë dhe një pjesëmarrje në një festival në Kosovë dhe performanca ishte më e mirë akoma. Shpesh herë kam vënë re që rolet pasi rimerren prapë sikur flenë në ndërgjegjen tënde dhe interpretimi i këtij roli pasi ka fjetur tek ty është akoma më i mirë.
Kush ka qenë periudha më e bukur e karrierës tuaj?
Të them të drejtën këto dy vjet për mua kanë qenë periudhat më të mira pasi gjërat kanë ardhur pa shkëputje. Unë kam pasur punë non stop, dhe të kesh punë pa ndërprerje nga njëra anë është e lodhshme por nga ana tjetër është kënaqësi dhe gjërat kanë ardhur gradualisht. Kam pasur punë gjithmonë ndoshta jo në një mënyrë të vrullshme pasi për tre vjet kam qenë jo shumë e angazhuar pasi ka qenë vakum në të gjitha artet por them që karriera ime ka qenë sistematike dhe ka ardhur duke u rritur. Vazhdimisht jam e kërkuar dhe kjo është një gjë e mirë për mua pasi punët e mira bëhen ngadalë, ngadalë.
Po periudha më e vështirë?
Periudha më e vështirë ka qenë nga viti 2005 deri në vitin 2007 përsëri kam punuar por shumë pak pasi u pozicionova në radio Eurostar, sigurisht kisha një punë por isha pjesëmarrëse dhe në ndonjë xhirim filmi tek tuk por nuk ishin ato çka do të doja unë.
Si e shikojmë Adriana Tolkan jashtë skenë?
Gjithmonë punën e kam pasur në qendër qoftë në radio qoftë në institucionet teatrale. Nuk jepem shumë pas jetës së natës, më pëlqejnë argëtimet e pakta por cilësore dhe gjithmonë me njerëzit e duhur. Zakonisht ditën e kaloj në shtëpi duke gatuar dhe nuk lëviz fare. I kushtoj vëmendje dhe pamjes estetike dhe jo vetëm kaq por jam për një jetë sa më të shëndetshme. Shpesh herë praktikoj palestrës me sa kam mundësi, kam kujdes në ushqimet prandaj më pëlqen dhe të gatuaj, ndonjëherë dhe në ndonjë aktivitet, në kafe, në kinema. Në fakt jeta nuk të ofron shumë gjëra por gjithmonë kam ecur me këtë shprehjen “Shtri këmbët sa ke jorganin”.
Çfarë është familja për ju?
Gjithmonë kam qenë partizane e familjes. Në familje kam pasur një frymë shumë të shëndosh dhe jam për atë që o të krijosh një familje të shëndetshme ose të mos e krijosh fare. Më pëlqejnë shumë fëmijët por them se ende nuk kam arritur kushtet për të krijuar një familje por së shpejti shpresoj. Jam partizane e familjes.
Cilat pasione ndjekin Adrianën përveç aktrimit?
Një pasion për mua është kënga. Në vitin 2006 kam publikuar një album i cili u publikua nën siglën e shtëpisë diskografike Eurostar por ndoshta mënyra e menaxhimit nuk e bëri të njohur si album. Herë pas here këndoj live, kam grupin tim të cilët janë pedagog në lice. Dy vitet e fundit kam qenë e ftuar në dy komplekse pushimi dhe më pëlqen shumë. Unë personalisht jam për çdo gjë live. Së pari dëshiroj të jem një aktore ndërsa këngën e praktikoj të jetë në shërbim të teatrit. Në Shqipëri nuk zhvillohen muzikalët ashtu siç kanë lindur në Amerikë, muzikalin e vetëm që kam bërë ka qenë një përpjeke e madhe për ta vënë në skenë pasi duheshin shumë fonde për të. Ky muzikal ishte opera “Për tre grosh” me regji të Ema Andreas përpara tre vitesh dhe të gjithë pjesëmarrësit kemi kënduar duke filluar që nga Inva Mula, Arben Derhemi, ishte një shfaqje që u prit mirë nga publiku. Nëse do të realizoheshin më shumë muzikale në Shqipëri publiku do ti priste shumë mirë për arsyen e vetme se do ti jepnin emocion të veçantë edhe në interpretim edhe në muzikë. Një rast tjetër ka qenë tragjedia “Trojanët” kam qenë një nga korifeint drejtuesit e korit. Aty kishte tre këngë të shkruara nga Euripidi, nga antiku i letrave greke dhe këto këngë u bënë polifoni nënë drejtimin e Alketit grupit të Vjosës dhe u krijua një kor prej katër zërash i cili u prit shumë mirë dhe ishte një mrekulli dhe jo vetëm në Tiranë por edhe në Sarandë, Greqi. Me pak fjalë ishte një përshtatje e polifonisë shqiptare me vargjet e Euripidit.
Çfarë është dashuria për Adrianën. A e ka provuar ajo ndjenjën e saj?
Sigurisht që e kam provuar. Të jesh e dashuruar në jetë është një motiv që nxit më tepër. Dashuria ekziston thjesht duhet të jesh i aftë ta gjesh. Nëse je e dashuruar ke motiv për të jetuar dhe për të krijuar gjëra të bukura.
Kush janë projektet që do t’iu shfaqin për publikun gjatë këtyre dy muajve të verës?
Në fakt gjatë këtyre dy muajve nuk do jem pjesëmarrëse në ndonjë premierë. Ka filluar puna për një kolazh poetik me disa aktor të njohur por ka mbetur ende në staniakson për shkak të disa angazhimeve të personave që janë të përfshirë në këtë projekt. Është një kolazh shumë i bukur dramatik drejtuar si një pjesë dramatike jo thjesht si recitimi. Akoma nuk di asgjë por në momentin që do të vazhdoj Festivali i të Rinjve them të jem pjesëmarrëse pasi ndonjëherë nuk i dihet propozimet vijnë dhe në minutën e fundit.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›