E lidhte me pranga dhe e rrihte me shkop gome bashkëshorten
Artan CENA
GJIROKASTËR - Lidhte gruan me pranga dhe më pas e rrihte me shkop gome. Ngjarja e rëndë ka ndodhur për disa kohë në Gjirokatrës, deri dy ditë më parë kur policia ka vënë në pranga një 43-vjeçar. Alfred Meçani ishte denoncuar nga bashkëshortja disa ditë më parë dhe gjykata kishte vendosur urdhërin e mbrojtjes për atë. Por ditën e enjte, Meçani nuk e ka respektuar vendimin dhe e ka thyer urdhërin. Ai ka shkuar në shtëpi dhe ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. Kaq ka mjaftuar që ajo të njoftojë policinë dhe në vendin e ngjarjes të mbërrinin disa patrulla. Efektivët e Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës e kanë vënë në pranga 43-vjeçarin dhe kanë bllokuar një palë pranga, një shkop gome, një karikator pistolete dhe 20 fishekë.
Arrestimi
Thyen urdhërin e gjykatës që kishte lëshuar për mbrojtjen e bashkëshortes, arrestohet një 43-vjeçar. Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se, mbrëmjen e dy ditëve më parë rreth orës 22:30, Specialistët për Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit, Alfred Meçani, 43 vjeç, lindur në Libohovë dhe banues në Gjirokastër. Vënia në pranga e tij është bërë për arsye se, shtetësja me inicialet E. M., 33 vjeçe, e cila është bashkëshortja e Meçanit, ka bërë kallzim në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në datën 10 korrik 2010, ku ka deklaruar se ka pasur kontradita dhe keqtrajtime fizike të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj. Menjëherë uniformat blu në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Dhunës në Familje në Drejtorinë e Policisë Gjirokastrës kanë përpiluar “kërkesë padinë” me kërkesën e të dëmtuarës, drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për lëshimin e menjëhershëm të “Urdhërit të Mbrojties.
Urdhëri
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me vendim Nr. 14, të datës 13 korrik 2010, ka lëshuar Urdhërin e Mbrojtjes për këtë shtetase. Me këtë urdhër është njohur menjëherë bashkëshorti i të dëmtuarës E. M., i cili duhet të respektonte detyrimet e parashikuara në këtë vendim. Por Alfred Meçani, me datën 22 korrik 2010, e ka shkelur këtë urdhër dhe ka ushtruar përsëri dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka kërkuar menjëjherë ndihmën e policisë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i Meçanit, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale “një palë pranga policie, një shkop gome si dhe një sasi prej 20 fishekësh luftarakë. (Bashkëshortja e këtij shtetasi ankohej se me këto mjete, “shkop gome dhe pranga” e keqtrajtone bashkëshorti i saj). Dosja me materialet në ngarkim të të ndaluarit i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “shkeljes së vendimeve të gjykatës”, si dhe të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Karburant pa para, tre persona vihen nën hetim
ELBASAN - Tre persona janë vënë nën hetim të akuzuar për mashtrime, pasi kanë marrë naftë e benzinë në një karburant dhe nuk kanë dhënë paratë prej kohës. Policia e Elbasanit bëri të ditur se, dy ditë më parë nga ana e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik-Finanaciar, ka filluar procedim penal për tre persona, konkretisht: Ismail Leka, 50 vjeç, banues në fshatin Proptisht, Pogradec, Ledion Isallari, 38 vjeç, banues në Pogradec dhe Luman Bibës, 58 vjeç, banues ne lagjen Nr. 1 Durrës. Procedimi ndaj tyre ka filluar, sepse në periudha të ndryshme kohë dhe në data të ndryshme, këta persona në pikën e karburantit, e cila ndodhet në Prrenjas-Librazhd dhe është në pronesi të shtetasit me inicialet I. B., 54 vjeç, banues në lagjen “Komuna e Parisit”, Tiranë, me anën e shpërdorimit të besimit i kanë marrë këtij pronarit, karburant (naftë, benzinë). Secili prej shtetasve të vënë në hetim ka marrë sasi të mëdha. Konkretisht Isamil Leka i ka marrë 1000 litra karburant (naftë), Ledio Isllari i ka marrë karburant në shumën 460.000 lekë si dhe shtetasi Luman Biba, ka marrë karburant në shumën 723.000 lekë. Të gjithë këta shtetas nuk e kanë likujduar borxhin e tyre dhe janë denoncuar.
24 Korrik 2010