Adriano Çelentano feston ditëlindjen
Adriano Çelentano mbush sot 71 vjeç. Këngëtari, i cili në moshën 23-vjeçare arriti suksesin e parë me këngën "24 milla baci", kënduar në Festivalin e Sanremos, sot numëron mbi 2500 këngë. Ai është shembulli tipik i artistit, i cili pasqyron karakterin e njeriut të thjeshtë, por të aftë të komunikojë pa përdorur shtirje. Adriano Çelentano u lind në një familje milaneze më 6 janar të vitit 1938. Falë vokalit të tij, Çelentano u bë këngëtar, duke mbështetur ritmin e tij, në ritmin e këngës tradicionale italiane. I padiskutueshëm ishte suksesi në Festivalin e Sanremos në vitin ‘61, me këngën "24 milla baci", që u përsërit edhe në vitet në vijim me të tjera këngë, ku veç motivit të dashurisë trajtohen sidomos probleme të mprehta të realitetit italian. Për këngën e viteve ‘70, "Chi non lavora, non fa l‘amore", shkroi atëherë edhe shtypi shqiptar, nën kuadrin e ideologjisë komuniste. Por, ndërsa kënga pati jehonë jo vetëm për tingullin, por edhe për fjalët e saj, gazeta "Drita" e asaj kohe e cilësonte Çelentanon si "grevëthyes", në një kohë kur rinia shqiptare e këndonte atë ilegalisht. Çelentano tërhoqi vëmendjen e mjaft producentëve të filmave, duke interpretuar edhe si aktor. Ai vazhdon të jetë në kulmin e veprimtarisë së tij artistike. Në Shqipëri, pas viteve ‘90, u krijua shoqata "Miqtë e Çelentanos".