"Profile letrare", 20 autorë në një studim
Bedri Dedja, Odhise Grillo, Klara Kodra, Xhevat Syla, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Ramazan Çadri etj., janë vetëm disa prej shkrimtarëve që krijimtarinë e tyre ia kushtuan letërsisë për fëmijë e të rinj, të cilët studiuesi Milaim Nelaj i ka përmbledhur në vëllimin studimor "Profile letrare". Libri vjen si botim i shtëpisë OMSCA-1. "Profile letrare" është i pari i këtij lloji për autorin Milaim Nelaj. Në të janë përfshirë studime për 20 krijues, duke nxjerrë në pah vlerat më të mira të këtyre shkrimtarëve, të cilët ia kushtuan krijimtarinë e tyre letërsisë për fëmijë e për të rinj. Studiuesi nga Kukësi herë pas here ka botuar në shtypin periodik shkrime studimore, por edhe krijimtari letrare e publicistike. Nisma e studiuesit Milaim Nelaj për mbledhjen dhe seleksionimin e materialeve përkatëse ka lindur rreth dy vjet më parë. Milaim Nelaj, me këtë libër, vjen si një studiues i formuar, si një qëmtues i pjekur i dukurive letrare dhe i vlerave më të mira të autorëve të ndryshëm të letërsisë për fëmijë e të rinj, portretet e të cilëve, sipas rendit alfabetik, i ka përmbledhur në libër. Ai analizon veprat letrare duke zbërthyer krijimin artistik, për të zbuluar idetë e mesazhet që ai përcjell, njëherësh për të vënë në dukje edhe veçoritë e poetikës në krijues të ndryshëm. Nelaj ndalet jo vetëm tek elementet kryesore të formës, por deri te detajet e imtësitë shprehëse. Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj në ditët tona konsiderohet si një ndër gjinitë më të lexuara, megjithatë në raport me letërsinë për të rritur ajo ka mbetur më pak e vlerësuar, e kjo është edhe arsyeja që shtyu studiuesin Nelaj t‘i kushtohej një vëllimi të tillë. "Profile letrare" vjen si një ndihmë me vlerë edhe në procesin mësimor të lëndës së letërsisë dhe në leximet jashtëshkollore.