E Shtunë, 31 Tetor 2026

HAARETZ, një gazetë pa atdhe

E vetme në betejën kundër pushtimit të Bregut Perëndimor, gazeta "Haaretz" fitoi famë në opinionin ndërkombëtar falë këndvështrimeve të guximshme. Por brenda kufijve të Izraelit, gazeta po lufton për të siguruar mbijetesën dhe kanë nisur të vërehen ndryshimet e para

E pazakonta e së përditshmes izraelite "Haaretz" është e dukshme që në çastin kur dikush vë këmbë në hollin kryesor të redaksisë së saj. Sytë të mbesin menjëherë te një derr i therur, i varur nga këmbët, ashtu siç shihet rëndom nëpër kasaphana. Vetëm se në rastin tonë bëhet fjalë për një riprodhim plastik. Portieri nxiton të shpjegojë domethënien e kësaj skulpture pak të zakontë. "Skulptura, thotë ai, është si Izraeli vetë: e bukur nga jashtë, e copëtuar nga brenda".

Haaretz në hebraisht do të thotë "toka" dhe problemet e gazetës janë të lidhura ngushtë me ato të gjithë vendit. Ajo që gazeta e ofron me ngulm - vullnetin për të gjetur gjuhën e përbashkët me palestinezët - përsëri ka ngjallur mërinë e një pjese të mirë të shoqërisë izraelite.

Një kat më poshtë hollit kryesor gjendet salla e konferencave. Është një hapësirë pa dritare dhe duket si shtabi i përgjithshëm i një kabineti lufte. Këtë mbrëmje, ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, gjendet këtu për të vizituar gazetën. Ajo që vjen bashkë me vizitën është një ortek këndvështrimesh të kundërta. Nga njëra anë është redaksia më kritike në vend; në tjetrën qëndron një politikan që e ka shtyrë Partinë e Punës, tradicionalisht e majtë, nga e djathta, deri në atë pikë sa ndonjëherë qëndrimet e ministrit Bara zor të dallohen nga ato të nacionalistit Beniamin Netaniau, lider i partisë Likud, forcë politike e qendrës së djathtë.

Barak, një gjeneral në lirim, e paraqet veten si mbrojtës i vijës së ashpër dhe shpejt pozicionohet me forcë kundër gazetarëve. Sa më shumë ngre zërin politikani, aq më shumë humbasin gazetarët dëshirën për t‘i bërë edhe pyetje të tjera. Ministri i ashpërson edhe më tej tonet. Godet me grusht tavolinën. As edhe kroasanti të cilin e ha pak nga pak nuk e ndal dot lumin e fjalëve të tij. Në fund të këtij vërshimi, kryeredaktori i gazetës vëren jo pa një lloj zemërimi se "nuk ju ndërpremë asnjëherë për njëzetë minuta të tëra".

Beteja për mbijetesë

Kështu, zëri i gazetës së majtë po humbet edhe një herë në zallahinë e zhurmave të përgjithshme. Jashtë kufijve të vendit, "Haaretz" njihet për pozicionimin e ashpër kundër pushtimit të territoreve palestineze nga ana e Izraelit. Siti i saj në internet regjistron rreth 1 milion lexues çdo muaj, ndërkohë që vetëm 66 mijë izraelitë e blejnë gazetën.

Gazeta u themelua në vitin 1919 dhe u ble në 1939-ën nga Salman Shoken, një biznesmen i arratisur nga Gjermania naziste, ku kishte qenë pronar i një zinxhiri dyqanesh dhe një shtëpie botuese. Ishte biri i biznesmenit Gustavi, ai që prej vitit 1939 i dha trajta liberale e prirje të forta majtas. Nipi i Salman Shoken, Amosi, është shefi ekzekutiv i grupit që prej vitit 1990.

Amos Shoken, sot 64-vjeçar, rrëfen se i ati tregonte më shumë interes në aspektin editorial të gazetës, se në atë financiar. "Por kohët kanë ndryshuar, thotë nipi i themeluesit të gazetës. Duhen fituar para". Dhe diçka e tillë nuk është e lehtë. Në vitin 2006, familja ia shiti 25 për qind të gazetës botuesit nga Këlni, Alfred Neven DuMont. Ditët kur u krye shitja, Shoken i dha investuesit të ri një dokument ku nënvizoheshin parimet editoriale të gazetës. Botuesi gjerman lexoi listën dhe u përqendrua te pika e fundit: "‘Haaretz‘ mbështet përpjekjet për gjetjen e gjuhës së paqes me fqinjët arabë". Sipas bashkëpronarit të ri, kjo qe diçka shumë e rëndësishme.

Problemi i vetëm është se të mbështesësh ide të tilla paqësore është diçka që për momentin shihet shtrembër nga shumë njerëz në Izrael. Pak pas përfundimit të Luftës së Gjashtë Ditëve në vitin 1967, "Haaretz" nisi me shpejtësi mbështetjen e idesë së kthimit të palestinezëve në territoret e okupuara në këmbim të paqes.

Me marrëveshjet e Oslos të vitit 1994, një pjesë e mirë e opinionit izraelit nisi të përqafonte atë qëndrim. Por martesa e lumtur mes gazetës dhe opinionit që mbizotëronte në publik nuk zgjati shumë. Me fillimin e intifadës së dytë palestineze në vitin 2000 dhe sulmet kamikaze në qytetet izraelite, atdheu dhe "Toka" edhe një herë nisën të lëviznin në drejtime të ndryshme.

Abonentët nisën të braktisin në masë të përditshmen. Një prej arsyeve me të cilën abonentët justifikonin largimin qe Gideon Levi, një prej analistëve më radikalë në vend. Një herë në javë, në hapësirën e tij të titulluar "Twilight Zone", Levi shkruante mbi fatin e palestinezëve. Shkruante për shoferë, taksitë e të cilëve janë shkatërruar prej ushtarëve izraelitë, apo për një burrë, bashkëshortja e të cilit u mbajt aq gjatë në një postbllok, sa vdiq nga infarkti. "Nëse ndryshojmë ADN-në e gazetës, nuk do mbijetojmë dot", paralajmëron Levi.

Ndryshimet editoriale

Por gazeta tashmë është në ndryshim e sipër. Gazetarët e njohur me prirje majtas janë përzënë dhe janë punësuar të rinj. "Brezi i ri i gazetarëve është më pak i lidhur me politikën, shpjegon Levi, ose shkruan artikuj që i shkojnë për shtat opinionit të përgjithshëm që mbizotëron sot në vend, siç vepron kolegu i Levit, gazetari Nadav Shragai, i cili shkruan mbi tema që as do kishin fare hapësirë deri pak kohë më parë".

Tonet e reja janë tepër të pazakonta për gazetën "Haaretz". Dov Alfon, 47-vjeçar, i cili është bërë kryeredaktor i kësaj vere, vihet në mbrojtje të politikës së re editorialiste të gazetës: "Kemi lejuar gjithnjë diversitete të forta opinionesh". Që nga çasti kur Alfon u ngjit në detyrë, gazeta ka eksperimentuar shumë. Së fundmi, historitë e kronikës së zezë kanë zëvendësuar titujt e mëdhenj të politikës në faqen e parë.

Kryeredaktori dhe shefat e mëdhenj të kompanisë kanë arritur bashkërisht në përfundimin që suksesi komercial i gazetës pengohet nga formati i saj. Deri tani, "Haaretz" është publikuar me format mjaft të madh. Qe për nga dimensionet më e madhja në Izrael, përafërsisht sa gjermania "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Ndërkohë që gazetat e tjera janë pak a shumë të prerjes së tabloidëve britanikë, si nga përmasat, ashtu edhe nga dizajni.

E megjithatë, kryeredaktori thotë se nuk ka kurrfarë plani për të ndryshuar në tërësi vijën politike të gazetës. Pjesa më e madhe e izraelitëve, shpjegon ai, mbështesin idenë e zgjidhjes me dy shtete dhe kthimin e thuajse gjithë Bregut Perëndimor.

Ndërkohë që vëren se në të kundërt të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, politika vazhdon ende të shesë gazeta në Izrael. Askund tjetër banorët nuk shpenzojnë më shumë kohë duke parë lajmet në televizion. "Politika, thotë Alfon, është versioni izraelit i pornografisë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›