E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helidon Xhixha, ekspozitë personale në Milano

Skulptori shqiptar, Helidon Xhixha, ka çelur në Itali ekspozitën e tij personale, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar në galerinë "Barclays Premier" në Milano. Skulpturat e artistit shqiptar, të cilat kanë bërë për vete tashmë edhe koleksionistët më të famshëm ndërkombëtarë, vlerësohen mbi të gjitha për energjinë e tyre. Ato duken si vepra në lëvizje dhe shpesh materiali i përdorur prej skulptorit është hekur e çelik. Jo pa qëllim artisti shqiptar bën këtë zgjedhje gjatë punimit të veprave të tij, pasi të tilla materiale, sipas tij, bëjnë të mundur dhe lejojnë shprehjen e efekteve plastike të energjisë dhe të dritës nëpërmjet teknikës së punimit po kaq komplekse dhe të vlerësuar gjithashtu. Veprat e Xhixhës janë të papërsëritshme. Drita dhe reflekset që ato përcjellin nuk janë asnjëherë statike, e nuk janë asnjëherë të ngjashme me njëra-tjetrën. Helidon Xhixha

ka lindur në Durrës në vitin 1970. Me prejardhje nga familje artistësh, ai e kalon fëmijërinë në studion e të atit, prej të cilit trashëgon edhe pasionin për skulpturën. Në një kohë kur mendonte të konkurronte për të qenë student i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, planet e tij ndryshojnë dhe vendos të transferohet në Itali. Në vitin 1998, falë një burse studimi, i ofrohet mundësia të frekuentojë për tre muaj Kingston University të Londrës, duke përmirësuar kështu teknikën e tij në skulpturë e fotografi. Në shkurtin e vitit 1999 diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera. I njohur në sferën akademike për stilin e tij eksperimental, ai ka realizuar një sërë veprash inovative. Veprat e tij zënë një vend të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të artit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›