E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriano i hap rrugën shkëmbimit me Ronaldinjon

Problemet që po kalon te Barcelona kanë bërë që Ronaldinjo të dalë virtualisht në merkato. Përveç Çelsit, në garë për të siguruar shërbimet e mesfushorit brazilian janë edhe tri skuadra italiane: Interi, Milani dhe Juventusi. Kjo bën që vizita në Milano e vëllait-menaxher të ish "Topit të Artë", Roberto de Asis, të mos jetë e rastësishme. Ai është takuar me Adriano Galianin, administratorin e deleguar të kuqezinjve, por sipas mediave spanjolle biseda ka pasuar edhe me drejtues të klubit zikaltër. Pikërisht Interi pritet që në orët në vazhdim të bëjë një ofertë mjaft interesante për Barcelonën. Para për arkat e klubit katalan, plus sulmuesi Adriano, i cili do të shërbente për të ulur çmimin e kartonit të Ronaldinjos. Kjo manovër synon që të ulë shpenzimet, edhe sepse momentalisht kartoni i fantazistit vlerësohet në afro 25 milionë euro.

Shkëmbimit i ka hapur rrugën edhe vetë Adriano, që momentalisht aktivizohet te Sao Paolo në kampionatin brazilian, ku është në formë huaje deri në qershor. Sulmuesi ka rigjetur qetësinë dhe besimin që i nevojitej: ai duket se është kthyer në formën më të mirë, duke realizuar edhe 11 gola. "Më kanë folur rreth këtij shkëmbimi të mundshëm ndërmjet Interit dhe Barcelonës dhe nuk jam i çuditur, duke pasur parasysh atë që po bëj këtu në Brazil", ka deklaruar 26-vjeçari. "Nuk ka asnjë dyshim që do të ishte një aventurë shumë e bukur të vishja fanellën e njërit prej klubeve më prestigjiozë në Evropë". Gjithsesi, Adriano ka preferuar të përqendrohet më shumë tek e tashmja. "Pavarësisht kësaj, shkëmbimi është diçka për të cilën nuk dëshiroj të mendoj në këto momente. Kur të kthehem në Itali, vendimi final i takon Interit. Çfarë do të bëja nëse do të kisha mundësi të zgjidhja? Prioriteti im është gjithmonë ai i të qenit të lumtur", shtoi në mënyrë disi enigmatike braziliani.

Por, ndërkohë që në radhët e Interit hipoteza për shkëmbimin Ronaldinjo-Adriano po avancon, kundërshtarët nuk qëndrojnë pa bërë asgjë. Mbi të gjithë Milani: në darkën e përpara disa ditëve ndërmjet Galianit dhe de Asis është vlerësuar hipoteza për të futur në marrëveshje Rikardo Oliveiran, që aktualisht luan në formë huazimi te Saragoza (klubi spanjoll duket se nuk dëshiron të paguajë 15 milionë për të blerë të gjithë kartonin e lojtarit). Sulmuesi ka treguar një formë të mirë në Primera Division (kampionat ku padyshim vlerësohet më shumë se në Serinë A) dhe nuk përjashtohet mundësia që Barcelona mund të jetë e interesuar për ofertën. Pas faktit që Milani ka filluar të mendojë strategjitë për të arritur te Ronaldinjo, duket se ka ndikuar vetë presidenti Silvio Berluskoni: "Ronaldinjo kuqezi? Shpresojmë ende", ka deklaruar njëshi i klubit gjatë një takimi në fushatën elektorale dhe ka bërë me dorë edhe një gjest, nëpërmjet të cilit dukej sikur donte të thoshte, "pothuajse e kemi marrë". Ndërkohë, në listën e pretendentëve teorikë është shtuar edhe Juventusi. Shtysë është bërë portieri Xhixhi Bufon, që disa ditë më parë u kishte "sugjeruar" drejtuesve të klubit të bënin një tentativë për të afruar Ronin në skuadrën bardhezi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›