E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesuesit, transferta që rrezikojnë objektivat

Java e 26-të e Kategorisë Superiore pritet të dhurojë rezultate të paparashikueshme edhe për faktin se ekipet kryesuese luajnë jashtë fushës së tyre. Dinamo do të jetë përballë Kastriotit, ekipit krutan, që vetëm një javë më parë u bëri nder kryesuesve duke ndalur Partizanin. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja kërkon të rritë diferencën në kreun e klasifikimit, por kundërshtarët e tyre kanë treguar se dhurojnë paraqitje shumë të mira ndaj skuadrave kryesuese. Për më tepër, krutanët janë në mes të luftës për mbijetesë dhe do të kërkojnë me çdo kusht një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shanset e qëndrimit në Kategorinë Superiore. Edhe Partizani nuk ka një ndeshje të lehtë në këtë fundjavë, pasi do të udhëtojë drejt Vlorës ku vihet përballë Flamurtarit vendas. Dy skuadrat që kanë regjistruar më shumë barazime në këtë sezon (11 Flamurtari e 10 Partizani) do të luftojnë vetëm për fitore, në funksion të objektivave sezonalë. Shqetësimi kryesor për ekipin kryeqytetas do të jetë gjykimi i ndeshjes, ku është kontestuar kryesori Velçani dhe është paralajmëruar për një bojkot të mundshëm të këtij takimi. Edhe Vllaznia e vendit të tretë luan në transfertë, pasi do të vihet përballë Shkumbinit. Ekipi peqinas regjistroi një fitore bindëse 4-0 në fazën e dytë të kampionatit, duke sjellë një krizë në radhët e shkodranëve, ndaj kuqeblutë do të mendojnë më shumë për hakmarrjen, se sa për të ruajtur pozitat e tyre në klasifikimin e Superiores. Elbasani-Besa është një tjetër sfidë entuziazmuese, me dy skuadra që synojnë renditjen në zonën e Kupave të Evropës dhe që ndahen vetëm nga dy pikë në klasifikimin e përgjithshëm. Trajneri i Elbasanit, Krenar Alimehmeti, tashmë rrezikon pankinën, pasi drejtuesve të skuadrës nuk u ka pëlqyer humbja e një jave më parë me Tiranën në inferioritet numerik. Edhe në javën e 26-të do të ketë një "sfidë mbijetese", me Teutën e Besëlidhjen që luajnë për të ndarë cila mes tyre do të bjerë direkt nga kategoria dhe cila do të marrë pjesë në "play-out". Lezhjanët janë tre pikë para ekipit durrsak dhe në rast fitoreje në transfertë, mund të gjejnë qetësinë e duhur për të përballuar javët e mbetura të kampionatit. E vetmja ndeshje "e parashikueshme" është ajo mes Tiranës dhe Skënderbeut. Ndonëse bardheblutë vazhdojnë të mos shfaqin një formë të mirë, takimi me ekipin korçar që duket i rënë nga kategoria, mund t‘u shërbejë atyre si përgatitje për ndeshjen e mesjavës në Kupën e Shqipërisë.

Java 26

Ndeshjet

Kastrioti-Dinamo A. Lulaj, D. Koreshi, A. Lamçe

Flamurtari-Partizani S. Velçani, B. Mesi, G. Maloku

Shkumbini-Vllaznia E. Peza, L. Mustafaraj, A. Molla

Elbasani-Besa K. Meta, A. Pregja, D. Salaj

Tirana-Skënderbeu E. Dobi, E. Miho, A. Guçe

Teuta-Besëlidhja T. Latifi, S. Avdo, G. Qirici

Ndeshjet fillojnë në orën 16:30

Klasifikimi

Skuadra N F B H gol. Pikë

1. Dinamo 25 15 6 4 38-10 51

2. Partizani 25 13 10 2 37-16 49

3. Vllaznia 25 11 8 6 37-25 41

4. Besa 25 12 5 8 31-23 41

5. Tirana 25 11 7 7 31-25 40

6. Elbasani 25 10 9 6 25-15 39

7. Shkumbini 25 9 7 9 23-22 34

8. Flamurtari 25 7 11 7 24-26 32

9. Besëlidhja 25 7 5 13 24-40 26

10. Kastrioti 25 7 3 15 16-34 24

11. Teuta 25 6 5 14 21-34 23

12. Skënderbeu 25 3 2 20 23-60 11

Golashënuesit

17 gola Sinani (2) (Vllaznia)

15 gola Pejiç (1) (Dinamo)

12 gola Ngjela (2) (Skënderbeu+Besëlidhja)

11 gola Bejzade (4) (Elbasani), Xhihani (Besa)

10 gola Duro (2) (Tirana)

9 gola Bakaj, Muzaka (3) (Partizani)

8 gola Plaku (2) (Dinamo)

7 gola Sukaj (Vllaznia), Fortuzi (1) (Tirana)

6 gola Tiko (2) (Skënderbeu), Stojku (Shkumbini), Abilaliaj (Partizani)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›