E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muriqi, më 9 maj në ring, kundër amerikanit Omar Sheika

Elvir Muriqi do të ngjitet sërish në ring në datën 9 maj. "Kosovo Kid" do të përballet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Omar Sheika, në arenën e Atlantik Sitit. Për boksierin shqiptar, kjo përballje vjen pasi ai nuk ka arritur të bëhet sfidanti i legjendës së boksit profesionist, Roi Xhons, apo i kampionit aktual të versionit WBA, Zsolt Erdei. Momentalisht Muriqi renditet ndërmjet 10 boksierëve më të mirë të kategorisë gjysmë të rëndë dhe në rast se do të fitonte përballë amerikanit Sheika, ai do të ngjitej edhe më shumë në ranglistën botërore. Si profesionist, 29-vjeçari i lindur në Pejë numëron 35 fitore (20 prej të cilave me K.O.) dhe vetëm 4 humbje. Nga ana tjetër, Omar Sheika ka triumfuar 27 herë në ringun profesionist (18 me K.O.) dhe ka dalë 8 herë i humbur. Në karrierën e tij, amerikano-palestinezi ka dueluar me emra mjaft të njohur të boksit, si Xho Kalzage (kampion aktual në WBC, WBO, WBA), ish-kampionëve Erik Lukas, Xhef Lasi dhe Markus Bejer, ndaj të cilëve ka pësuar vetëm humbje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›