E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osama brenda familjes Bin Laden

Autori amerikan, Stiv Koll, ka shpenzuar shumë vite të jetës së tij duke mësuar të fshehtat e Osama Bin Ladenit dhe njerëzve që e rrethojnë. Në librin e tij të fundit ofron një vështrim më të kujdesshëm brenda familjes së numrit një të Al-Kaedës. Në një intervistë dhënë për revistën gjermane "Der Spiegel" autori tregon ku mund të fshihen sot terroristët, zanafillën e babait të Bin Ladenit, si edhe një aventurë romantike të një prej vëllezërve të tij.

Z. Koll, së fundmi Osama Bin Laden theu një heshtje që zgjaste prej shumë kohësh. Kërcënoi Evropën dhe bëri thirrje për "çlirimin" e Rripit të Gazës. Sa seriozisht duhen marrë fjalët e tij? tregojnë ndonjë gjë për vendin ku mund të fshihet aktualisht?

"Prej kohësh Bin Laden i formulon mesazhet e veta në mënyrë të atillë që t‘i përshtaten çdo lloj ngjarjeje të rëndësishme. Nuk është e vështirë ta imagjinojmë të fshehur diku në kufirin afgan teksa ndjek televizionet "Al-Xhazira" apo CNN dhe mban shënime për komunikatën e radhës. Mendoj se komentet lidhur me Evropën janë një përpjekje për të zënë faqet e para të gazetave - janë shkruar pasi ka mësuar për karikaturat mbi Muhamedin. Por mund të vlejë edhe për të na treguar se di mirë çfarë ndodh në Evropë. Gjatë dy vjetëve të fundit kemi parë shumë reagime të shtabit të Al-Kaedës ndaj ngjarjeve të tilla. Thjesht kërkon të tregojë se është ende gjallë dhe se i njeh mirë zhvillimet në botën myslimane".

Kandidati demokrat, Barak Obama, e akuzon ashpër administratën "Bush" për neglizhimin që ka treguar ndaj ndjekjes së terroristit më të kërkuar në botë. Ka të drejtë?

Eliminimi i Osama Bin Ladenit ka qenë i mundur, veçanërisht mes viteve 1998-2001, përpara ngjarjeve të 11 shtatorit. Kishim agjentë në terrenin e tij në atë kohë dhe ata i dhanë tre herë mundësinë Bill Klintonit ta nxirrte jashtë loje. Në një rast vendosi kundër sulmit me raketë, pasi nuk pranonte mundësinë e shkaktimit të viktimave civile, sidomos fëmijë. Ekzistonin imazhe satelitore që tregonin fare qartë bazën e Bin Ladenit në Kandahar. Ekzistonte mundësia të rrethohej kampi nga forca speciale e më pas arrestimi i tij, por në atë kohë nuk përbënte prioritet politik. Por edhe pas 11 shtatorit ekzistonin shanse të mira. Vetë Bin Laden shkruan sa e rëndë ishte gjendja e tij gjatë bombardimeve të shpellave në Tora Bora, në dhjetor të vitit 2001.

Arriti të shpëtonte çastin e fundit. Është e vështirë të thuhet nëse trupat afgane që bashkëpunonin me forcat amerikane e lanë të shpëtonte apo thjesht nuk ua bënte zemra ta zinin. Sidoqoftë, ne nuk pranuam të fusnim në lojë Divizionin e Dhjetë Malor, i cili është i specializuar në ato lloj luftimesh dhe në atë kohë gjendej thuajse i tëri në Uzbekistan. Ishte një vendim i gabuar.

Ku ndodhet tani Bin Laden?

Jam krejtësisht i bindur se gjendet brenda kufirit pakistanez. Madje edhe do guxoja të tregoja ku: në zonën malore në veri të Vaziristanit, pranë qytetit Miram Shah. E njeh atë zonë si pëllëmbën e dorës së vet. Kontrollohet nga klani Hakani, ku ka rrënjë të thella. Ushtria pakistaneze nuk guxon të hyjë në atë zonë.

Mendoni se gjendet në një kamp të Al-Kaedës nga ku mund të koordinojë aktivitetin e grupeve?

Me shumë gjasa zhvendoset nga një vend në tjetrin nën mbrojtjen e miqve besnikë - gjë që nuk do të thotë se përjashtohet që ndonjë prej tyre ta tradhtojë. Me sa duket zotëron edhe pajisje moderne komunikimi, si televizionet satelitore. Rajoni Miram Shah, në të kundërt të Afganistanit rural, është shumë më i zhvilluar në këto aspekte nga ç‘mendojmë ne. Besoj se Aiman Al Zauahiri nuk gjendet me të.

Larg për motive sigurie apo taktike?

Ndoshta të dyja bashkë. Por gjatë dy-tre viteve të fundit kanë fituar aq shumë besim, sa kam dëgjuar se edhe janë takuar gjatë një takimi të krerëve të Al-Kaedës. Nuk mund të dimë nëse është personalisht Bin Ladeni ai që urdhëron sulmet terroriste. Por dihet me siguri se njeh pjesën më të madhe të operacioneve të Al-Kaedës.

Ia keni kushtuar pjesën më të madhe të librit të ri familjes dhe origjinës së tij. Përse?

Mendoj se mënyra më e mirë për të kuptuar Osama Bin Ladenin dhe kontradiktat e tij mes besimit, traditës dhe modernizmit, urrejtjen ndaj Perëndimit nga njëra anë dhe tërheqjen prej ideve tona nga tjetra, është të studiohet thellë klani i tij.

I shihni Bin Ladenët si klan terrorist? Apo janë familje për së mbari me një dele të zezë në gjirin e vet?

Janë familje e madhe. Osama vetë ka 24 vëllezër dhe 29 motra dhe bëhet fjalë për një klan ku gjejnë vend një gamë shumë e gjerë idesh dhe mendimesh - nga njerëz krejt modernë, si Salem Bin Laden, një plejboj i vërtetë e shumë i dhënë pas grupit "Beatles", deri te fanatikë të skajshëm. Kjo shumëllojshmëri idesh u vu re edhe ditën e 11 shtatorit. Kur terroristët përplasnin avionin në ndërtesën e Pentagonit, gjysmëvëllai i tij gjendej në një konferencë investuesish në hotelin "Ritz Carlton" të Uashingtonit, vetëm pak kilometra larg. Konferenca sponsorizohej nga grupi "Carlyle", ku kanë aksione edhe familja Bush edhe ajo Bin Laden.

Si në të shumtën e rasteve me klanet familjare, edhe Bin Ladenët e kanë zanafillën te një patriark i pushtetshëm.

Ekzaktësisht. Babai i Osamës, Muhamedi, ishte një burrë i suksesshëm që e transformoi veten nga bir fshatari në biznesmen miliarder. Vjen nga Hadramauti, një rajon i ashpër e i varfër i Arabisë Saudite, emri i së cilës është mjaft domethënës - përkthehet, vdekja është mes nesh. Në moshën 14-vjeçare, Muhamedi e mori vetë në dorë fatin e tij. Në vitin 1925 përshkoi Detin e Kuq mbi një anije të drunjtë, u soll gjysmë i uritur nëpër shkretëtirë deri kur mbërriti në Xhida, një qytet i vogël në atë kohë.

Si e siguroi Muhamed Bin Laden kapitalin fillestar për të ngritur në këmbë biznesin e vet?

Flinte në një zgavër në rërë, punonte një pjesë të kohës në një dyqan për udhëtarët, pastaj si kuzhinier e më pas në një gurore. Kursente çdo dyshkë. Ngriti një kompani në vitin 1931 dhe shpejt u përfshi në biznesin e ndërtimit. Ditët e bumit të parë të naftës përdori ambicien, punën e palodhur dhe kontaktet e duhura për t‘u kthyer në ndërtuesin kryesor të familjes mbretërore. Shpejt nisi të ndërtonte diga e rrugë. U bë i pasur.

Ka shumë të pasur në atë vend. Nga vjen influenca e tij?

Paratë nuk ia ndryshonin dot pozitën shoqërore në Arabinë Saudite, edhe pse iu dha një post i rëndësishëm në kabinetin qeveritar në vitin 1955. Familja mbretërore e vlerësonte besnikërinë dhe zotësinë e tij, por nuk do e kishin lejuar kurrë të martohej me një prej bijave të tyre apo që një nga bijtë e tij të bëhej dhëndër mbretëror. Dinte mirë që për të pasur më shumë mundësi - diçka që e donte më shumë se gjithçka tjetër në jetë - bijtë e tij duhet të merrnin shkollimin më të mirë të mundshëm.

Duhet të ketë pasur të përzgjedhurit mes 54 fëmijëve nga 22 gra. Ishte Osama një prej të parapëlqyerve?

Muhamed Bin Ladeni u nda shpejt nga nëna e Osamës, një grua nga Siria. Por gjithçka tregon se i ati luajti një rol shumë të rëndësishëm në jetën e Osamës. Kur ishte i vogël shkoi pas të atit në Mekë dhe Medinë, ku Muhamedi rimëkëmbi shumë ndërtesa, ashtu siç bëri edhe me Xhaminë e Al-Aksasë në Jerusalem. Muhamedi ishte shumë besimtar dhe këto projekte në vendet më të shenjta të islamizmit për të qenë shumë të rëndësishme. Por duket se nuk ka qenë aspak fanatik, madje është tepër kozmopolit për një njeri me formim të atillë kulturor. Ishte modern.

Si mund ta dimë këtë?

Në kantierin e Jerusalemit mori në punë të krishterë si edhe të tjerë "të pafe", bleu nga Amerika rreth një duzinë makinash dyvendëshe dhe ishte i pari qytetar i Arabisë Saudite me avion privat.

Ishte patriarku ai që e përcaktoi trashëgimtarin? Luajti ndonjë rol Osama?

Osama, i 17-ti ndër bijtë, ishte vetëm dhjetë vjeç kur i vdiq i ati. Si edhe trashëgimtarët e tjerë meshkuj trashëgoi 2.3 për qind të aksioneve të kompanisë, ndërkohë që vajzave u takoi vetëm nga një për qind. Këto para bashkë me fitimet e përvitshme të kompanisë - të investuara përmes bankave perëndimore, kundër rregullave të islamit - e bënë Osamën të pasur. Është milioner, por nuk ka 300 milionë dollarë, siç mendohet. Pas një faze tranzicioni në krye të kompanisë së familjes u vendos Salem Bin Ladeni. Është rreth dhjetë vjet më i madh se Osama dhe ka studiuar në një shkollë britanike.

Disa prej vëllezërve u shkolluan në Perëndim ose në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, i cili ishte shumë liberal në atë periudhë. Të tjerët qëndruan në Arabinë Saudite. Përse Osama nuk doli nëpër botë?

Një herë udhëtoi në Bejrut, por nuk i pëlqeu jeta që bëhej aty. Shihte telefilma amerikanë dhe ndonjëherë luante futboll, por në të gjitha rastet me pantallona të gjata. Modelin atëror e gjeti diku tjetër. U influencua fort nga një mësues që mbështeste idetë e Vëllazërisë Myslimane. Radikalizmi i Osamës nuk drejtohej kundër familjes. E pranonte pa problem autoritetin e Salemit, edhe pse mund të mos ketë pëlqyer tërheqjen e të vëllait nga pija, nga jeta prej plejboji si edhe muzika pop. Zelli i tij prej besimtari dhe revolucionari u shfaq së pari kundër politikave të familjes mbretërore saudite, veçanërisht mbi çështje se thirrjet për të "çliruar" Jerusalemin dhe, më pas, lufta kundër pushtuesve sovjetikë në Afganistan, ku u përfshi me gjithë dëshirën.

E admirojnë Bin Ladenët e tjerë Osamën, apo e shohin thjesht si individ ekscentrik?

Mendonin se intensitetin dhe vullneti me të cilin përjetonte fenë ishte jo i zakonshëm. Për shembull nuk lejonte një nga gratë e tij të pinte përmes një tubi apo fëmijët të pinin drejt nga shishja, pasi këto sende nuk qenë islamike. Por, gjithsesi, kurrë nuk e kanë parë në petkat e radikalit apo ta përjashtojnë. Ashtu si në familjet evropiane dikur qe krejt normale që një prej bijve t‘i kushtohej besimit, edhe për ta ishte më se e natyrshme që një prej vëllezërve të ndiente thirrjen e fesë.

Shpejt u bë më shumë se kaq.

Po. Osama u kthye në radikal në vitin 1979, pas sulmit të islamistëve në Xhaminë e Madhe të Mekës, revolucionit iranian dhe pushtimit të Afganistanit nga ana e sovjetikëve. Egoja dhe ambiciet e tij u rritën kur në qytetin pakistanez të Peshavarit dhe shpërndau para për njerëzit, më së shumti të dhuruara nga familja e tij, dhe më pas iu bashkua muxhahedinëve në luftën e shenjtë.

Si ia dilte familja ta ruante këtë raport mes Perëndimit dhe Mekës?

Salemi ishte mjaft i suksesshëm si në krye të familjes ashtu edhe si biznesmen. E dinte sa të rëndësishme qenë donacionet për lëvizjen e rezistencës në Afganistan. Nën këshillat e miqve me influencë nga Amerika njëherësh ofroi ndihmë financiare edhe për fushatën e CIA-s kundër "Contras"-ve në Nikaragua. Por më së shumti, Salem Bin Ladeni iu kushtua përmbushjes së ëndrrës amerikane, ku përfshiheshin vila, makina luksoze e avionë privatë. I pëlqen shumë të udhëtojë dhe të këndojë përpara njerëzve. Njëherë këndoi këngë folklorike bavareze gjatë "Oktoberfest" në Munih, pasi pagoi 2 mijë dollarë për të siguruar një vend në tendën e birrës. Por jeta e tij sentimentale është veçanërisht ekscentrike.

Në ç‘kuptim?

Ka pasur pesë të dashura, ndër më të preferuarat: një amerikane, një britanike, një franceze, një daneze dhe një gjermane. Një ditë u kërkoi të gjithave të shkonin ta takonin në Londër e i prezantoi me njëra-tjetrën. U tha se donte të martohej me të pesta dhe t‘i dhuronte secilës një vilë. Kushti i vetëm ishte që të qenë të disponueshme për të gjatë gjithë kohës, si dhe të mbanin në vilë flamurin e vendit përkatës dhe nga një makinë të prodhuar në këtë vend. Kishte ndër mend të krijonte një "Organizatë Kombesh të Bashkuara" të tërën për vete. Vajza gjermane u largua në çast, ndërsa të tjerat ngurruan. Salemi u martua me vajzën nga Anglia.

Por nuk arriti ta shijonte shumë gjatë pasurinë.

Në maj të vitit 1988 u ngrit me një avion të lehtë nga San Antonio dhe goditi linjat e tensionit të lartë. Biznesin e familjes e mori në dorë njëri prej vëllezërve të tjerë, Bakri Bin Ladeni, besimtar dhe me mjaft përvojë në biznesin botëror.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›