E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriano riaftësohet në kohë rekord

09/04/2005  Pas humbjes 0 : 2 në derbin e vajtjes, Interi i ka varur të gjitha shpresat te një riaftësim i Adrianos në kohën e duhur, për të qenë në fushë të martën e ardhshme. Vetë braziliani dëshiron të luajë me çdo kusht dhe shpreson që të jetë kundër Milanit. Objektiv që e kishte në kokë edhe para ndeshjes së parë, por që tani është përforcuar akoma më shumë, pas humbjes zhgënjyese të së mërkurës. Prania e tij në fyshë do të ishte shumë e rëndësishme për Interin, duke pasur parasysh forcën dhe zotësinë e brazilianit, që mund të ishin faktori vendimtar për të realizuar përmbysjen e madhe që ëndërrojnë interistët. Programi i riaftësimit të brazilianit ka pasur që në fillim si objektiv kthimin e Adrianos në fushë për derbin e kthimit, ndeshja më e rëndësishme e sezonit zikaltër. Sulmuesi i talentuar jo vetëm që po riaftësohet sipas parashikimeve, por edhe po i kalon ato, duke qenë se që tani mund të konsiderohet e sigurtë prania e tij në ndeshjen e së martës së ardhshme. Duke filluar që nga dita e hënë, Adriano ka nisur një punë të veçantë, përgatitur enkas për të nga stafi mjekësor zikaltër. Të enjten braziliani ka filluar stërvitjen me top dhe ka zhvilluar një seri ushtrimesh qëshërbejnë për të vënë në provë këmbën e dëmtuar para 20 ditësh, në ndeshjen kundër Fiorentinës. Nëse gjithçka do të vazhdojë sipas programit të përcaktur që më parë, pas disa ditësh stërvitjeje të veçantë, Adriano do të rikthehet në stërvitje me grupin të dielën. Trajneri Mançini nuk e ka grumbulluar për ndeshjen kundër Bolonjës, sot në mbrëmje, por duhet të vendosë se çfarë të bëjë për ndeshjen e së martës. Vështirë se Mançini do të vendosë ta hedhë në fushë që nga minuta e parë, pasi braziliani nuk luan prej kohësh dhe do të ishte shumë e rrezikshme. Megjithatë, Adriano do të jetë në stol dhe nëse shokët e tij të sulmit do të shënojnë të paktën një gol, atëherë pjesa e dytë do të jetë në dispozicion për të, për të shpresuar në një përmbysje që do të hynte në histori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›