Vizita e Papës në Shqipëri, në një ekspozitë modeste
09/04/2005 Në ditën e ceremonisë së varrimit të Atit të Shenjtë, Agjencia Telegrafike Shqiptare në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare, organizuan një ekspozitë modeste me fotografi nga vizita e tij në vendin tonë. Rreth 25 fotografi që pasqyronin respektin dhe dashurinë e thellë, si të popullit shqiptar për Atin e Shenjtë, por të njëjtat ndjenja edhe nga ana e tij, të cilat shfaqen hapur me gjestin e tij fisnik, të fiksuar në celuloid, duke puthur tokën shqiptare, në momentin e zbritjes nga avioni. Në të gjitha fotot e ekspozuara tërhiqte vëmendjen fakti se nuk kishte asnjë të tillë, ku të prezantohej ndonjë moment i takimit të Atit të Shenjtë me ish-presidentin Berisha. Frrok Çupi, drejtor i ATSH-së, u shpreh se nuk ka asgjë të qëllimshme, pasi koha në dispozicion ishte shumë e shkurtër dhe fotot erdhën direkt nga laboratori, duke i mëshuar më shumë aspektit cilësor. "Në ditën e përcjelljes së Papa Gjon Palit II, Agjencia Telegrafike Shqiptare në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve, në mënyrë simbolike zgjodhi këtë ditë me një ekspozitë ardhjeje. Shqiptarët kanë shprehur gjithmonë mirënjohjen për të, pasi është Papa i parë dhe i vetëm që ka vizituar vendin tonë dhe ne, për të qenë sa më pranë tyre, për të dëshmuar dashurinë e tyre, ekspozuam këto fotografi. Janë vetëm 23 fotografi, nga rreth 150 të tilla që ndodhen në arkivin e ATSH-së. U zgjodhën me shpejtësi dhe besoj se shprehin lidhjet shpirtërore të njerëzve me Atin e Shenjtë dhe anasjelltas", tha Çupi për të pranishmit në çeljen e kësaj ekspozite. Një foto e zmadhuar e shkëputur nga pjesa tjetër e fotografive, që tregonin momente nga takime të ndryshme të Papa Vojtilas me njerëzit e thjeshtë, pasqyronte momentin shumë prekës, ku Papa Gjon Pali II puthi tokën shqiptare, duke i dhënë kështu bekimin e përjetshëm.