E Diel, 1 Nëntor 2026

Koleksionistët italianë Pop-Art me Enver Hoxhën

09/04/2005  Portreti i Enver Hoxhës vazhdon ende të pikturohet si në diktaturë; Piktorët shqiptarë porositen nga koleksionistët italianë dhe organizatat e huaja që ndodhen në Tiranë; Mbi 4 mijë euro portreti i Enverit ka hyrë në tendencat e pop artit italian në ditët e sotme

Krejt rastësisht, një piktori të njohur shqiptar i kishin trokitur në derë për të porositur tek ai ndonjë pikturë me portret të Enverit apo Stalinit. Ishin miqtë e tij, që i prezantuan një personalitet të huaj, i interesuar enkas për të blerë (aq sa të kushtonte) një portret të ish-diktatorit shqiptar. I habitur sa s’ka më, piktori u kishte treguar miqve të huaj gjithë galerinë e veprave të tij. Por asnjëra nuk qëlloi në “dëshirat” e blerësve. Këmbëngulja e interesit të miqve italianë ishte totalisht ndryshe nga “ëndrrat” e piktorit, të paktën i erdhi një rast në derë, të njihej si vlerë në vendin fqinj. Në të kundërt të asaj që mendonte, pyetja ishte befasuese: “Ke piktura abstrakte, ke piktura me udhëheqësin, diktatorin, ose me Stalinin?”.

Oferta që i bënë, nëse bënte një tablo të Enverit, shkonte deri në 4 mijë euro brenda për brenda Shqipërisë. Ndërsa në tregun fqinj, vlera kalonte imagjinatën. Një portret i Enverit blihet nga koleksionistët italianë me një çmim prej 20 mijë euro.

“I shohin tablotë si abstraksion, piktura që nuk i vlerësojnë artistikisht, pasi e thonë hapur, nuk ka vlera artistike. Por këta kërkues të tablove të Enverit më duken si “gjahtar shtrigash”, shprehet pak i rreptë piktori, duke kërkuar ruajtjen e anonimatin. Ndërsa tregon se janë disa piktorë të këtushëm, ashtu si dikur, vazhdojnë të bëjnë tablo të Enverit. Në këtë rast, në këto vitet e fundit, riprodhimi i protretit të diktatorit është kthyer në një biznes. Pavarësisht se nuk e pohon njeri haptas, disa specialistë dhe piktorë e thonë nën zë, se janë në dijeni të këtij biznesi. Por që nuk ka lidhje me artin. Pasi, sidomos në Itali, këto vitet e fundit pohohet se ka një tendencë mjaft të dukshme për vepra nga soc-realizmi. Ndaj kanë drejtuar sytë për nga Shqipëria, si vendi ku galeria e punëve nga diktatura është e panumërt, duke joshur me çmime të skajme. Madje, sipas disa burimeve, ndër piktorë, thuhet se për arsye të këtij lloj biznesi po punohen ende tablo si në diktaturë, me të njëjtën stil.

Nga disa personalitete të kulturës italiane që ndodhen në Shqipëri, pa pasur dijeni për këtë biznes, e pohojnë se në Itali këto vite ka shpërthyer tendenca për të koleksionuar tablo nga soc-realizmi shqiptar, duke u ndalur në veçanti dhe në kërkesat e dukshme që ka për portretin e Enverit. Gjithsesi këtë e konsiderojnë si një farë mode, për të blerë tablo nga Shqipëria, duke u tërhequr më shumë nga ana komericiale dhe kërshëria se si është kompozuar një pikturë në kohën e diktaturës nga artistët shqiptarë.

Për vlera artistike as që bëhet fjalë.

Kuratori italian, që ishte ftuar në Tiranë për konkursin ndërkombëtar të “Marubi”-t, Stefano Romano, thotë se, “Tablotë e krijuara që i përkasin soc-realizmit janë në modë në Itali, por vetëm si vlerë historike, thjesht për kohën kur janë krijuar dhe jo për vlerat e tyre artistike”.

Ndërsa një pjesë tjetër e piktorëve, ashtu sikurse piktori që kishte kundërshtuar “miqtë” e tij të huaj, për të nisur këtë biznes, thonë se kjo është në dëshirën personale të gjithsecilit, nëse duan apo jo të vazhdojnë të krijojnë në këtë rrymë, të shkuar tashmë. Por ajo që i shqetëson më shumë është ngrirja aktuale që i bëhet artit pamor që qarkullon nga Shqipëria drejt Italisë, jo në idenë e vlerave, por gati si një “urdhër”, duke të diktuar nevojat e tregut dhe krijimtarinë e lirë. Duke shkuar pak më përtej, dikush e ka cilësuar këtë si “një lojë politike, se pikturën abstrakte do ta bëjnë ato që kanë punuar figurat e diktatorëve. Domethënë, ata që kanë qenë të varur, duhet të jenë dhe në artin abstrakt të varur”.

Por një palë tjetër thonë se, kjo është thjesht komerc dhe nuk shohin asgjë anormale në riprodhimet e portretit të Enverit. Më tej sqarohet se ky fenomen nga koleksionistët italianë shihet, aktualisht, si rrymë e pop-artit në rrafshin e arteve pamore.

Kurioziteti apo tendencat, sot nuk tërheqin vetëm nga Italia, piktorët përmendin se mjaft organizata të huaja që ndodhen në Tiranë po shfaqin interes të pazakontë drejt pikturave të soc-realizmit, që janë krijuar në vendin tonë gjatë 50 viteve të diktaturës.Galeria dhe piktorët e Enverit Në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërmjet 5 mijë autorëve, janë mbi 10 autorë që njihen si piktorë të Enverit. Pra, janë autorë, të cilët identifikohen sot e kësaj dite si piktorë që janë marrë vetëm me portretin e Enverit, sigurisht të vlerësuara dhe që ruhen në fondin e Galerisë. Pa u ndërlikuar me ngjarje që kanë të bëjnë me historinë e PPSH, këta autorë kanë hedhur në telajo bustin e Enverit, duke e shoqëruar në situata të ndryshme historike. Diçitura e thjeshtë: “Portreti i shokut Enver Hoxha”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, këto tablo kanë një vlerësim minimal financiar, që fillon në kufirin prej 5 mijë lekësh deri në 25 mijë lekë. Portreti i Enverit zë fill në krijimtarinë e piktorëve që nga vitet e para të çlirimit, ku tablotë shënohen me titullin: Komandanti Enver Hoxha. Pamja e hijshme e diktatorit, i vlerësuar shpesh për bukurinë e tij, për piktorët shqiptarë ka gjetur impenjim artistik, duke i dhënë edhe trajtën e krenarisë, ku theksin ngjyrat e forta

Piktorë që kanë krijuar portretin e Enverit

Hasan Nallbani, Portreti i Enver Hoxhës

Ksenofon Dilo, Portret i Enverit

Vilson Kilica, Sh.Enver Hoxha, Shoku Enver

Sali Shijaku, Rruga Enver Hoxha

Enver Hoxha me Ramiz Alinë në Drilon

Bukurosh Sejdini, Komandant Enver Hoxha

Franc Ashiku, Pllakati i sh.Enver Hoha

Mikel Gurash, Shoku Enver Hoxha

Ramazan Fushekati

Zef Shoshi

Guri Madhi

Kel Kodheli

Bashkim Ahmeti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›