E Diel, 1 Nëntor 2026

Sislej Xhafa, ngre "obeliskun" shqiptar në kopshtet e Venecias

09/04/2005  Me një "obelisk" gjigand të artistit Sislej Xhafa, do të prezantohet vendi ynë për të parën herë në një pavion zyrtar, në Bienalen e Venecias. Vepra është 23 m e lartë, me një diametër 8 m dhe ka kushtuar 80 mijë euro. Por, edhe organizatorët e kanë trajtuar me kujdes të veçantë prezantimin dinjitoz të pavionit shqiptar në këtë aktivitet, duke i lënë një vend kryesor në hyrjen e zonës së kopshteve, zona më e rëndësishme e Bienales

Sislej Xhafa ka "çarë" qelitë e Rinasit (të cilat, duhet pranuar se kanë qenë një ogur i mbarë për të) dhe "fluturon" së shpejti drejt Venecias. Artisti i mirënjohur nga Peja është përzgjedhur nga organizatorët për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 51-të të Bienales së Venecias. Veprat e tij, që nuk kalojnë asnjëherë pa rënë në sy, janë një ndihmë për hapjen dinjitoze të këtij pavioni të parë shqiptar. Le të kujtojmë vetëm faktin se ishte pikërisht Xhafa, i cili në vitin '97, me performancën e tij "Pavioni klandestin", tërhoqi vëmendjen e organizatorëve të Bienales së Venecias, për gjetjen e tij tepër të spikatur. Pavarësisht se Xhafa ka kërkuar që puna e tij të mos dekonspirohet, por të mbetet një surprizë, në konferencën për shtyp që u dha dje në Galerinë Kombëtare, organizatorët nuk i rezistuan tundimit për të dhënë disa informacione, ku kuratori Edi Muka u shpreh se, vepra e "Xhafës do të jetë në vetvete edhe pavioni shqiptar". Ndërsa Andi Tepelena, njëri prej organizatorëve të pavionit, shtoi se vepra e Xhafës ka përmasa shumë të mëdha fizike, 23 m e lartë dhe me një diametër 8 m. Vepra e përballuar me shpenzimet personale të Sislej Xhafës ka kushtuar 80 mijë euro, ndërsa transporti do të kushtojë 30 mijë euro. "Deri tani, ne kemi siguruar 1/3 e buxhetit për këtë projekt gjigand, kryesisht nga donatorë italianë. Për nga mesazhi universal që përcjell, vepra do të jetë një nga më befasueset", ka shtuar Tepelena, duke kërkuar një mbështetje jo vetëm nga MKRS-ja, por edhe nga subjektet private. Bienalja e Venecias, e cila do të çelet më 12 qershor dhe do të vazhdojë deri më 6 nëntor, "mbush" 110 vjet këtë vit, në edicionin e 51-të, aktivitet i filluar në vitin 1895. Cecilia Tirelli, bashkorganizatore e pavionit shqiptar në këtë aktivitet, duke folur për rëndësinë e tij, ka theksuar se ky eveniment është shumë i rëndësishëm jo vetëm për përmasat e tij, por edhe për faktin se luan një rol shumë të rëndësishëm në pasqyrimin e arritjeve në artin bashkëkohor, në çdo edicion të tij. "Eshtë një nder për mua të punoj për organizimin e pavionit shqiptar, duke patur parasysh sfidat e mijëvjeçarit të tretë. Meqenëse është hera e parë që Shqipëria prezantohet me një pavion zyrtar, ne kemi bërë të pamundurën për të marrë një vend të zgjedhur, i cili është edhe shumë domethënës, në hyrjen e zonës së kopshtit, që është edhe vendi më i vizituar. Bienalja e këtij viti përbën edhe një arritje, pasi për herë të parë në historikun e saj, kuratoret janë dy gra: spanjollet Roza Martinez dhe Maria de Corral. Edicioni i këtij viti synon një reflektim për arritjet e artit aktual dhe një përpjekje për të parashikuar zhvillimin e tij në të ardhmen", ka theksuar Tirelli, duke shtuar se dy aspektet ku janë përqëndruar më shumë kuratoret konsistojnë "në një këndvëshrim historik në të kaluarën, që do të trajtohet në seksionin e Arsenales, nën kurimin e Maria de Corral, ndërsa aspekti i dytë, i kuruar nga Rosa Martinez, synon të evidentojë ecurinë e artit në të ardhmen, kryesisht në gjuhët shprehëse të përdorura në ditët tona".

Ditë të mbara për artin pamor shqiptar

Bienalja e Venecias përbëhet nga dy zona të mëdha, në atë të "Jardins" (Kopshtet), ku ndodhen të gjitha pavionet zyrtare të shteteve të ndryshme dhe Arsenales, apo ekspozita e kuratorit. Ky vit shënon një numër rekord pjesëmarrje me 73 shtetet me pavionet respektive. 31 shtete kanë pavionet e tyre të përhershme, të blera kohë më parë, në zonën e Kopshteve, ndërsa pjesa tjetër do të ekspozojë në pavione të hapura në zona historike të Venecias. Rëndësia e kësaj Bienaleje nuk ka nevojë për koment, mjafton të përmendim disa shifra që lidhen vetëm me edicionin e kalur: 500 mijë vizitorë, 9300 gazetarë italianë dhe të huaj të akredituar, 56 rrjete televizive italiane dhe 84 të huaja, por edhe rreth 1 milion "vizitorë" në faqen e internetit të Bienales. Një vit i mbarë për artin pamor shqiptar, pasi jo vetëm në zonën e Kopshteve, ku do të vendoset pavioni ynë zyrtar, që do të përfaqësohet nga Xhafa, por edhe në Arsenale, është ftuar nga vetë kuratorja e Bienales, Roza Martinez, artisti i njohur shkodran, Adrian Paci. I rëndësishëm është fakti se, Bienalja e Tiranës do të prezantohet në mënyrë origjinale, në një seksion të veçantë pranë pavionit shqiptar, në sajë të bashkëpunimit të GKA-së me agjencinë ndërkombëtare të specializuar në marrëdhëniet publike "Good-will", një promovim ideal i këtij aktiviteti, që e sjell në qendër të vëmendjes të botës së artit ndërkombëtar. Abaz Hado, drejtori i Galerisë ka theksuar se, institucioni do ta mbështesë në të gjitha aspektet këtë pavion, një projekt i propozuar nga zyra për projektet ndërkombëtare. "Përfaqësimi i vendit tonë në Bienalen e Venecias është një eveniment i rëndësishëm për artin pamor shqiptar", ka nënvizuar Hado. Kuratori Edi Muka dhe njëkohësisht shef i zyrës së projekteve ndërkombëtare pranë GKA-së, ka deklaruar se praktika e mbështetjes së artistëve shqiptarë ka filluar të zbatohet me sukses që prej vitit të kaluar, ku rasti në fjalë është edhe i dyti. "Pavarësisht se që prej vitit 1999, artistët shqiptarë kanë qenë prezentë në Bienalen e Venecias, ku Anri Sala ka fituar çmimin e parë, për artistët e rinj në vitin 2001, vetëm në këtë edicion të 51-të, Shqipëria do të ketë pavionin e saj të parë zyrtar". Muka ka theksuar kontributin e madh dhënë nga Andi Tepelena dhe Cecilia Tirelli, të cilët organizuan këtë pavion, duke shtuar se nga ky moment "fillon edhe fushata sensibilizuese për të gjetur fondet financiare për realizimin e këtij projekti tepër ambicioz". Pika e dobët, financa, i ka detyruar të pranishmit në panel, të kërkojnë ndihmë nga të gjitha drejtimet, për të siguruar fondet e nevojshme, pasi ka të bëjë jo thjesht me prezencën e një artisti, por me prezantimin me dinjitet të vetë Shqipërisë, në një nga aktivitetet më të rëndësishme të artit pamor në rrafshin ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›