E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriatik Coli dëshmon në gjykatë për tri vrasje të tjera



Surprizat në dëshmitë e të penduarit Adriatik Coli ndjekin njëra-tjetrën, duke u bërë sërish objekt i debateve mes avokatëve dhe prokurorëve. Pas përmendjes së Aleksandër Kekës si korrier droge i bandës dhe Dritan Dajtit, i kontaktuar për vrasjen e Lul Berishës, tashmë do hidhej dritë mbi tri vrasje të padëshmuara më parë në gjykatë. Ky moment ka sjellë përplasje dhe debate të ashpra mes avokatëve të prokurorëve të çështjes lidhur me vijueshmërinë e dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli. Shkak janë bërë deklarimet e tij për tri vrasje të tjera, të padëshmuara në gjykatë deri tani, por ndërkohë që i ka deklaruar para prokurorëve pasi firmosi për statusin e të penduarit. I penduari i “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, ka hedhur dritë dje për 3 vrasje të tjera të anëtarëve të kësaj bande. Në deklaratat e tij të radhës para trupit gjykues, i penduari Coli ka bërë të ditur se në dëshminë e tij para prokurorëve ka zbardhur vrasjet e shtetasve Ali Kërtusha, Dorjan Sema dhe Ledion Keci, që sipas tij, janë kryer nga anëtarë të “Bandës së Durrësit”, por prokuroria nuk i ka përfshirë ato në dosjen e dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokatët mbrojtës të anëtarëve të “Bandës së Durrësit” kanë akuzuar prokurorinë se nuk u ka dhënë të plotë atyre dëshminë e Adriatik Colit. Ndërkaq prokurorët e kanë justifikuar këtë fakt me pretendimin se këto ngjarje janë ende nën hetim, duke qenë se nuk ka autorë konkretë dhe për këtë arsye nuk është përfshirë në dosjen e përcjellë në gjykatë. Pas këtij debati, gjykata ka ndërprerë dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. Lidhur me këtë fakt, burime pranë akuzës janë shprehur se Coli ka dhënë deklarime për këto vrasje, por gjatë deklarimeve nuk ka përmendur emrat e të pandehurve, ndaj dhe për këtë fakt nuk kishte asnjë arsye pse duhej t’u jepeshin avokatëve deklarimet për këto tri vrasje. Të gjitha këto debate janë bërë gjatë seancë së djeshme, në të cilën ishte parashikuar që i penduari t’u përgjigjej pyetjeve të avokatëve dhe të pandehurve. I vetmi avokat që ka mundur të marrë fjalën dhe të bëjë pyetje ka qenë Arben Qeleshi, i cili ka pyetur rreth episodeve ku përmendej klienti i tij. Nga burime brenda gjykatës bëhet e ditur se Coli u ka qëndruar deklarimeve të tij në prokurori dhe gjykatë për këto episode dhe në vijim të përgjigjes së pyetjeve kanë dalë në dritë edhe tri vrasjet për të cilat u bë debati. Pikërisht në këtë moment filloi debati i ashpër mes akuzës dhe mbrojtjes, ku kjo e fundit akuzoi se prokurorët nuk iu kanë dhënë të plotë dëshminë e Adriatik Colit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›