E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja e Konferencës Gjyqësore, debat mbi rrugëzgjidhjen



Situata e krijuar në Kuvend, ku opozita vijon bojkotin e për pasojë shtyhet edhe votimi i disa ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, organizoi një takim me kryetarët e gjykatave në vend, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për Konferencën Gjyqësore. Janë dy alternativat, të pritet miratimi i ligjit nga ekzekutivi dhe kalimi i tij për në Kuvend apo të përgatisin një rregullore të gjithë gjyqtarët për të zgjedhur katër anëtarët e rinj të KLD-së. Por, hedhja e alternativës së dytë duket se kanë vënë kundër njëri-tjetrit gjyqtarët dhe kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, me numrin dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Becaj u shpreh se duhet një rregullore në mungesë të ligjit që mundëson mbledhjen e konferencës, e pamundur të miratohet për sa kohë mungon opozita dhe kalimi i kësaj rregulloreje bëhet vetëm me 3/5 e votave. “Presioni politik-mediatik po deformon perceptimin e publikut për dhënien e drejtësisë”, - u shpreh Becaj. Ndërkohë, i pranishëm në takim, numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kërkoi që konferenca të mblidhet pas miratimit të ligjit në Kuvend. “Konferenca duhet të mblidhet vetëm pasi të jetë miratuar ligji, që kërkon 3/5 e votave në Kuvend”, - tha Spahiu. Më pas, Spahiu nuk ka kursyer as lëvdatat për ligjin e përgatitur dhe punën e mirë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe se nuk duhet hedhur, sipas tij, asnjë hap jokushtetues për të përgatitur një rregullore të re, me qëllim zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj. “KLD mbështet hapur projektligjin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Është një projekt i shkëlqyer dhe për këtë projekt kemi dhënë edhe ne objeksionet tona. Mbështesim këtë iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë, mbështesim një Konferencë Gjyqësore pasi ligji të kalojë në Kuvend. Të lobojmë së bashku që ky projektligj të kalojë në Kuvend, të respektojmë procesin kushtetues”, - u shpreh nënkryetari i KLD-së, Spahiu. Por, të pranishmit në takim nuk kanë ndarë të njëjtin opinion me numrin dy të KLD-së, pasi sipas tyre, nuk dihet kur ligji do kalojë në ekzekutiv dhe Kuvend, dhe prej disa muajsh në KLD jepen vendime transferimesh gjyqtarësh apo dhe vendime të tjera edhe nga katër anëtarë që u ka përfunduar mandati. Kjo e bën edhe më emergjent kalimin e këtij ligji në qeveri dhe më pas në Kuvend, sipas të pranishmëve në këtë takim, duke hedhur idenë e një rregulloreje të përgatitur nga të gjithë gjyqtarët, një praktikë kjo e ndjekur edhe kur ky ligj mungonte fare. “Të jemi ne gjyqtarët ata që duhet të marrim vendime për vetorganizimin tonë. Kjo bëhet me mbledhjen e gjithë gjyqtarëve, përgatitjen e një rregulloreje në mungesë të ligjit, me anë të së cilës vetërregullohet ky handikap deri në kalimin e ligjit për miratim”, - u shprehën disa krerë gjykatash.

Risitë

Tri do të jenë risitë e këtij drafti: përfshirja e të gjithë gjyqtarëve në votimin e kandidaturave për në KLD, raportimi i anëtarëve të zgjedhur herë pas here në mbledhjet vjetore të Konferencës Gjyqësore, lidhur me punën e bërë në mbrojtje të interesave të gjyqtarëve, si dhe mbledhja e Konferencës Gjyqësore 1 muaj pas mbarimit të mandatit të anëtarit të KLD-së. Në këtë projektligj janë hedhur dy variante për përzgjedhjen e kandidaturave për në KLD, 5 nga gjykatat e Shkallës së Parë, 3 nga gjykatat e Apelit dhe një nga Gjykata e Lartë; si dhe anëtarët e KLD-së të zgjidhen nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore. Në sugjerimet e dërguara në Ministrinë e Drejtësisë, pjesa më e madhe e gjyqtarëve kanë shprehur mendimin se varianti i parë është më i pranueshmi. Ndërkohë që në projektligj është hedhur edhe ideja e heqjes së mandatit të anëtarit të KLD-së, nëse ai nuk e mirëpërfaqëson komunitetin që e ka zgjedhur, një variant që nuk është përqafuar shumë nga gjyqtarët apo dhe ndërkombëtarët e EURALIUS-it.

Arrestohet në Itali i kërkuari për vjedhje

Është arrestuar në Itali një 25-vjeçar, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të vjedhjes. Nga bashkëpunimi i Interpol-Tiranës me Interpol-Romën, u vu në pranga i kërkuari Dritan Brahilika. Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i tij u krye pasi ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr. 334, datë 22.05.2006, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të “vjedhjes të kryer në bashkëpunim”. 25-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Argent Brahilika, më datë 21.03.2006, i kanë vjedhur një sasi prej 6000 dollarësh kanadezë shtetasit italian N. M. I ndaluari u shoqërua në qelitë e burgut në Itali, në pritje për t’u ekstraduar drejt vendit tonë, për të vazhduar procesin gjyqësor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›