E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e “Gërdecit”, lule e predha të plasura Ina Ramës



Një buqetë me lule dhe disa copa predhash të plasura. Kjo ka qenë dhurata e përgatitur nga familjarët e viktimave të Gërdecit për Kryeprokuroren Ina Rama. Të gjithë bashkë ata janë paraqitur paraditen e djeshme për të takuar kreun e organit të akuzës në Prokurorinë e Përgjithshme, por ndonëse çuan fjalë përmes punonjësit të recepsionit për një takim me të, Kryeprokurorja refuzoi t’i takonte duke i lënë për më se katër orë duke pritur në shi. Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë protestuar dje para Prokurorisë së Përgjithshme, për të çuar sërish para drejtësisë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ata thanë se prej një muaji kanë bërë një kallëzim penal kundër Mediut me të njëjtën akt-akuzë si herën e parë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Pikërisht për këtë arsye, të shoqëruar edhe me një buqetë lulesh dhe brenda saj edhe disa copëza predhe të plasur, familjarët kërkuan të takojnë edhe Kryeprokuroren Ina Rama, e cila refuzoi t'i presë. Një nga familjarët, Zamira Durda, nëna e Edison Durdës, fëmija 6 vjeç në listën e viktimave të Gërdecit, mbante në duar këtë buqete me lule dhe copa predhash. Në sportelin e Prokurorisë së Përgjithshme iu kanë thënë se “kërkesa-padia juaj është marrë dhe është përcjellë për tek grupi hetimor”. Lidhur me këtë kërkesë-padi, znj. Durda tha se “nuk kemi marrë asnjë përgjigje për kërkesën e bërë që më 8 tetor, ndaj Kryeprokurorja duhet të mendojë për këtë çështje. Kësaj radhe erdha me predhë të plasur në dorë, por po të jetë nevoja do të shkoj nëpër institucione me predha të paplasura. Fëmija im nuk jeton më”. Por, askush nga Prokuroria e Përgjithshme nuk tregoi gatishmëri për t’i pritur gratë e Gërdecit dhe për t’u dhënë një përgjigje se çfarë kanë bërë hetuesit me këtë çështje. Refuzoi t’i priste Kryeprokurorja Rama, ndërkohë që nuk u treguan të disponueshëm as prokurorët e grupit hetimor. Megjithatë, ato kanë qëndruar në organin e akuzës për më tepër se katër orë në mes të shiut, me shpresën se dalja e tyre para medias do të shërbejë si një apel për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. “Kryeprokurorja duhet të guxojë për imunitetin e Mediut”, - thanë familjarët e viktimave të tragjedisë, të indinjuar për mosreagimin e organit qendror të akuzës. Gjykata e Lartë mbylli në muajin shtator çështjen në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ishte i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Avokatët e tij argumentuan se Mediu është person me imunitet, i votuar më 28 qershor, ndaj s'mund të procedohet. Me këtë argument çështja u mbyll pa u arritur në analizimin e fakteve që sillte prokuroria dhe që e fajësonin Mediun për “shpërdorim detyre”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›