E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sjellja politike e Edi Ramës shkatërroi PS, por po dëmton edhe vendin”

21-07-2011 / Gazeta 55

LSI/ Luan Rama

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama si plan-prishës së interesave të integrimit Evropian të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë, duke marrë përgjegjësitë për veprimet e papërgjegjshme, të cilat thjesht e vetëm sa vonojnë përmbushjen e reformave dhe kthimin e dialogut politik.
“Marrëdhëniet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me çdo faktor të rëndësishëm ose jo politik në vend, kushtëzohen vetëm nga interesat e vendit dhe nga kontributi që secila forcë politike jep në të mirë të vendit. Më lejoni të kujtoj që në kushtet e një shoqërie demokratike, një drejtues i vendit apo një personalitet politik që humbet apo në rastin më të keq që bën gabime, madje edhe gabime me vetëdije, jep dorëheqjen e nuk kërkon ndjesë. Ndjesa më e mirë është marrja e përgjegjësive konkrete për atë që ka bërë, pasi veprimi i papërgjegjshëm i Edi Ramës nuk është se dëmtoi vetëm interesat e Partisë Socialiste. E gjithë sjellja e tij politike ka dëmtuar në thelb interesat e vendit. Ndaj në kushtet e faktit që ai merr përsipër të kërkojë ndjesë, kjo është e mangët përsa kohë nuk shoqërohet me përgjegjësi konkrete”, tha Luan Rama.
Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste që të lexojë drejt mesazhet e ndërkombëtarëve. Sipas tij, deklarata e fundit e këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, ishte një qëndrim i fortë i Brukselit, për thyerjen e bojkotit dhe nisjen e procesit të reformave.
“Nga takimi i tretë i Këshillit të Stabilizim Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga komisionerët Ashton dhe Fule, vjen një mesazh i qartë dhe pa asnjë ekuivok për dialog politik dhe për përfshirje të aktorëve politik në reforma të rëndësishme që bëjnë të mundura përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në këto kushte dhe përballë këtij apeli të përsëritur të partnerëve ndërkombëtarë, Lëvizja Socialiste për Integrim, jo vetëm shprehet e gatshme, por si edhe herë të tjera i fton faktorët e rëndësishëm politik, në mënyrë të veçantë opozitën, të kuptojë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e veçantë që marrin reformat e mëdha në të cilat duhet të përfshihet vendi dhe që bëjnë të mundur përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Interesat e vendit janë dominante. Ato janë parësore dhe prevalojnë në raport me çdo interes tjetër individual apo interesa partiake”, tha Rama, duke i kërkuar lidershipit të PS-së të kthejë frymën konstruktive në PS.
“Në këto kushte është e rëndësishme që edhe lidershipi i Partisë Socialiste të kuptojë që nuk mund të vazhdojë ta mbajë PS-në jashtë këtyre kontributeve pozitive, nuk mund të vazhdojë ta detyrojë Partinë Socialiste të prodhojë negativitete në dëm të interesave kombëtare, në dëm të interesave evropiane të vendit. Prandaj është e rëndësishme që duke lënë në vlerën e vet humbjen e Edi Ramës në garën për Bashkinë e Tiranës, të kuptojë që interesat evropiane të vendit nuk janë të lidhura me karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste por janë të lidhura me interesat e qytetarëve të vendit. Në këto kushte sfida e madhe e realizimit të reformave të rëndësishme duke filluar nga reforma zgjedhore është sfidë për gjithë klasën politike të vendit. Padyshim e barasvlershme si sfidë edhe për vetë opozitën, në mënyrë të veçantë për Partinë Socialiste e cila si njëra prej kontributorëve të rëndësishme, në kohën kur ka qenë në qeverisjen e vendit, për integrimin evropian të Shqipërisë, nuk mund të vazhdojë mbahet jashtë institucioneve dhe jashtë kontributeve të rëndësishme që duhet të japë. Lëvizja Socialiste për Integrim edhe një herë apelon që drejtuesit e Partisë Socialiste të lënë mënjanë interesat e tyre dhe të bashkohen me interesat evropiane të vendit”, deklaroi më tej, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›