OSBE: Detyrat janë konkrete, dialog politik në Kuvend dhe reformim i ligjit elektoral

Kryetari i Radhës së OSBE-së, ministri i Jashtëm lituanez Audronius Azubalis
Kryetari i Radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm lituanez Audronius Azubalis, i bën thirrje qeverisë dhe opozitës që të rinisin dialogun dhe t`i japin fund ngërçit politik në vend. “Polemika e vazhduar rreth procesit të ankimit pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit ka theksuar nevojën për reforma të mëtejshme zgjedhore, por ajo ka treguar mbi të gjitha nevojën urgjente që dy partitë më të mëdha politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme”, u shpreh Azubalis.
Ai tha se OSBE është në pritje të vlerësimit përfundimtar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila mund të mbështesë këtë proces. Por sipas tij, nuk mund të ketë asnjë vonesë në vendosjen e dialogut politik.
“Ky hap i parë është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, dhe më në mënyrë të veçantë Parlamentit. OSBE-ja, përfshirë edhe Prezencën e saj në Shqipëri, dhe ODIHR-i mbeten të gatshme që të mbështesin qeverinë dhe partitë politike që të bien dakord, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në mënyrë transparente, për një axhendë më të gjerë të reformave, përfshirë edhe reformat zgjedhore”, nënvizoi më tej, kreu i OSBE-së dhe njëherazi ministri i Jashtëm lituanez Audronius Azubalis.
Haxhinasto – Wollfarth: “Mazhoranca e gatshme për ngritjen e tryezës së reformës zgjedhore”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto priti dje në një takim ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth. Wollfarth paraqiti deklaratën mbi Shqipërinë, të Kryetarit të radhës të OSBE, Ministrit të Jashtëm të Lituanisë Audronius Azubalis.
Gjatë takimit ministri Haxhinasto përsëriti gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për t’u angazhuar në një proces institucional dialogu të ndërsjelltë me opozitën, për të avancuar më tej reformat në vend. Ai theksoi se mazhoranca po bën përpjekjet maksimale për adresimin me prioritet të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat bëjnë një përkufizim tërësor të reformave kyçe që duhet të zbatojë Shqipëria në rrugëtimin e saj evropian.
Ministri vuri në dukje se integrimi evropian është një proces që kërkon domosdoshmërisht kontributin e të gjithë faktorëve politikë, jo vetëm për arritjen e standardeve më të larta evropiane, por edhe si një përgjegjësi kushtetuese dhe në interesin kombëtar të vendit. Ministri gjithashtu vlerësoi angazhimin e OSBE-së, veçanërisht në përpjekjet për të nxitur dhe inkurajuar realizimin e një reforme zgjedhore institucionale në Shqipëri.
Ai ritheksoi se qeveria mbetet e hapur në thirrjen e saj të sinqertë për një bashkëveprim politik gjithëpërfshirës, ku mirëpritet kontributi i shoqërisë civile, si dhe me asistencën e çmuar të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për një Kod të ri zgjedhor, që përmbush rekomandimet e OSBE/ODIHR.