“PS të reflektojë, reforma elektorale e domosdoshme”

Tryeza e reformës zgjedhore, kreu i PDS-së Paskal Milo i kërkon Edi Ramës të pranojë ofertën e mazhorancës
Në një kohë që selia rozë ka refuzuar ofertën e parë të bërë nga mazhoranca për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore, aleatët e vegjël të opozitës nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me të, për këtë çështje. Për kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, amendimet e ligjit elektoral janë të rëndësishme dhe nevojën e këtyre ndryshimeve e dëshmuan edhe zgjedhjet e fundit. “Pa diskutim që ligji zgjedhor duhet parë dhe riparë mirë. Kodi Zgjedhor e ka patur të domosdoshme që të rregullohej edhe më shpejt dhe është domosdoshmëri që reforma elektorale të bëhet. Mundet që Partia Socialiste të ketë mendimin e vet për sistemin zgjedhor dhe kodin Zgjedhor, por unë besoj se Rama ka dhënë arsye të mjaftueshme ditët e fundit se Partia Socialiste është duke reflektuar ditët e fundit jo vetëm për sistemin, jo vetëm për ndryshimet kushtetuese, por edhe për ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor”- tha Milo.
Tre janë pikat kryesore ku duhet të ndërhyhet në ligjin elektoral, sipas Milos. “Është e domosdoshme, e para që të korrigjohet sistemi zgjedhor në Shqipëri. Shqipëria përfundimisht duhet t’i largohet ndërtimit të komisioneve të të gjitha niveleve mbi baza bipartizane dhe të gjitha komisionet dhe grupet e numërimit duhet të jenë apolitike. Është e domosdoshme që të ketë për garanci, për vullnetin e shqiptarëve, të ketë një votim elektronik”- tha kreu i PDS, Paskal Milo.
Vetëm 3 ditë më parë nga Partia Demokratike iu bë një ftesë në mënyrë zyrtare selisë rozë, për të diskutuar mbi amendimet e ligjit elektoral, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Por, nga Partia Socialiste nuk erdhi asnjë përgjigje mbi ofertën e demokratëve.