E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen ekspertët, negociatat në dorë të ambasadorëve të BE-së

Ndërmjetësimi Sot takimi me komisionerin Fule dhe krerët e grupeve të PPE-së dhe PSE-së

Ambasadorët kryesorë të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, angazhohen sërish për një tur të ri negociatash me mazhorancën dhe opozitën, për të ndihmuar misionin e marrë përsipër nga krerët e BE-së, që nisi me darkën e një jave më parë në Strasburg. Ky ka qenë rezultati i takimit të djeshëm të dytë, të katër ekspertëve të ardhur nga Brukseli me ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë. Pas takimit të një nate më parë, dje në mëngjes kanë hyrë në zyrat e delegacionit të Komisionit Europian, diplomatët e Gjermanisë, Berndt Borchardt, të Britanisë së Madhe, Fiona Mciluhan, si edhe disa ambasadorë të tjerë. Nga ora 11.00 deri në mesditë është biseduar për çuarjen përpara të negociatave, por gjithçka është mbajtur e fshehtë dhe larg syve të publikut. Mësohet se nga Strasburgu dhe Brukseli ka qenë i prerë urdhri: “Asnjë detaj nga bisedimet nuk duhet të rrjedhë”. Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, nuk ka pranuar dje të japë asnjë gjë nga takimet, duke ngulmuar: “Nuk kam asnjë koment, kështu do të përgjigjem sa herë të pyesni”. Ndërkaq, diçka mësohet nga bisedimet me Berishën dhe Ramën, ku të dyja palëve u është kërkuar të dërgojnë sa më parë në Bruksel drafte me propozimet përkatëse në lidhje me çështjen ku mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për çështjen e fletëve të votimit. Gjatë ditës së djeshme, por edhe të mërkurën vonë, Kryeministri dhe kreu i opozitës kanë mbledhur në shtabet përkatëse juristët më të mirë të palëve për të hartuar piketat e marrëveshjes që do të diskutohet në Bruksel pas një jave. Megjithatë, ende nuk është marrë vesh data e saktë e takimit; ai do të mësohet në fillim të javës së ardhshme. Ndërkaq, ekipi prej 5 ekspertëve të kryesuar nga zv.shefja e kabinetit të komisionerit Stefan Fule, Jana Sindelkova, dje në orën 15.00 janë larguar nga Shqipëria për në kryeqytetin europian. Sot në Bruksel ata do të raportojnë para komisionerit Fule dhe dy krerëve të grupeve parlamentare të PPE-së, Joseph Doul dhe grupit socialist, Martin Schultz. Takimi mësohet do të zhvillohet sot paradite në selinë “Altiero Spinelli” të Parlamentit Europian në Bruksel. Të mërkurën në mbrëmje, delegacioni i ekspertëve të Bashkimit Europian, që drejtohet nga zv.shefja e kabinetit të komisionerit për zgjerimin, Jana Katarina Loliç Shindelkova, një zyrtar i Drejtorisë së Zgjerimit, dy përfaqësues të grupeve të Partive Popullore dhe Socialiste dhe një përfaqësues i Këshillit Europian, kanë zhvilluar një takim me të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers. Në sy gjatë takimit ka rënë mungesa e përfaqësuesit të Presidencës së BE-së, përkatësisht ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobio. Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Tiranë, ekspertët e Brukselit janë takuar me Kryeministrin Sali Berisha, takim që është zhvilluar në zyrën e këtij të fundit dhe me liderin e opozitës, Edi Rama, me të cilin takimi është mbajtur në Bashkinë e Tiranës. Nga takimet mësohet se ende ka ngelur e pazgjidhur “nyja gordiane” e fletëve të votimit, për të cilat Berisha nuk pranon të lëshojë “pe”, duke theksuar se duhet zbatuar Kodi Zgjedhor për djegien e tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›