E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriatiku që synon kulmin botëror

Nga Ejup LLUMNICA

Lojtari më i mirë i vitit 2006 në Kosovë. Në Kampin e Tivarit, sivjet, u shpall supertalent i volejbollit në rajon. Është kërkuar nga disa skuadra jashtë Kosovës. I kërkuar edhe të mbrojë ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë. Luan në rolin e teknikut-organizatorit të lojës. Këto janë disa nga karakteristikat e volejbollistit Adriatik Kajtazi, anëtar i KV Mabetex, i vlerësuar si e ardhmja e volejbollit kosovar. Adriatiku, edhe përkundër vështirësive të vazhdueshme që po përballet volejbolli ynë në organizim, për asnjë moment vullneti i këtij djaloshi 19 vjec nuk bie, i cili me punën që është duke bërë vërtet shumë shpjet do të shohim në kulmin e volejbollit botëror. Janë këto edhe arsyet kryesore që na shtynë të bëjmë një bisedë me këtë prishtinas, i cili, përvec shkathtësive të mira në këtë sport, tregon edhe një sjellje shumë të mirë si në shkollë, ashtu edhe në shoqëri. "Iliria Post"Flasim për herë të parë për gazetën tonë, na përshkruani biografinë tuaj A. Kajtazi: Jam 19 vjec, nxënës i vitit të katërt të shkollës së mesme teknike në Prishtinë. Me volejboll merrem qysh nga mosha 12 vjecare. Këtë sport e kemi traditë familjare dhe unë jam i lumtur që po e vazhdoj këtë traditë. Aty ku më parë e kishte lënë babi im, pastaj edhe xhaxhai Veliu, dhe që të tre luajmë të njëjtin pozicion, teknik-organizues. Tash për tash jam anëtar në klubin kampion të Kosovës, Mabetex. "Iliria Post" : Vlerësoheni si e ardhmja e volejbollit kosovar, cfarë ndikimi ka kjo te ju? A.Kajtazi: Kjo është një shtytje më tepër për mua, mirëpo asnjëherë nuk bën të vetëkënaqem me këtë fakt. Unë vazhdoj të punoj ende dhe mendoj se fryt të suksesit tim e cilësoj punën, e cila të sjellë deri te synimi. "Iliria Post" : Jeni anëtar i një skuadre e cila ka ajkën e volejbollistëve kosovarë. A e ndieni konkurrencën aty? A. Kajtazi: Normalisht, në skuadër të gjithë jemi të barabartë. Konkurrenca ekziston, por është konkurrencë e shëndoshë, me plot kuptimin e fjalës dhe secili lufton me korrektësi për vend në përbërje. "Iliria Post": Këtë vit Xhavit Kajtazi (baba juaj) është trajner i Mabetexit. Është kjo një plus për ty apo më shumë do të ishe angazhuar te një trajner tjetër? Kajtazi: Po, është e vërtetë që baba im është kryetrajner a më mirë të them trajneri imi. Kjo nuk luan rol aspak tek unë. Ndihem sikur të gjithë lojtarët e tjerë, me të njëjtat privilegje. "Iliria Post": Cili është plani për të ardhmen tuaj. Keni oferta nga jashtë? A. Kajtazi: Planet e mia a synimet e mia si sportist janë të qarta, të luaj në ndonjë skuadër jashtë vendit. Duke marrë parasysh disa oferta të cilat më janë ofruar, pritet që të bëj një hap me tutje, i cili mund të sjellë afirmimin tim dhe të volejbollit të Kosovës edhe jashtë vendit. "Iliria Post" : Një vlerësim juaji në përgjithësi për volejbollin që zhvillohet në Kosovë. Keni qenë disa herë edhe në turne jashtë Kosove, cili është dallimi i volejbollit tonë më atë të rajonit? A. Kajtazi: Dallimi nuk është edhe aq i madh. Mendoj në klubin tonë, duke marrë parasysh disa ndeshje që kemi zhvilluar me ekipet e ligës së Maqedonisë, Shqipërisë, të gjitha i kemi mposhtur. Kjo tregon se jemi në trend me volejbollin e shteteve fqinje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›